“Dhe Ne, ta ngritëm lart famën tënde!”…

Të ndalemi pak tek ajeti i pestë i sures El-Inshirah, ku All-llahu i Madhëruar i drejtohet të Dashurit të Tij (a.s.) duke i thënë: “Dhe Ne, ta ngritëm lart famën tënde!”.

Të shohim se çfarë kanë thënë komentuesit e Kur’anit rreth këtij ajeti dhe kuptimeve të tij të mëdha.

Thotë Imam Kurtubiu në tefsirin e këtij ajeti: “Transmetohet nga Dahhaku, nga Ibn Abbasi (r.a.), që thoshte: “All-llahu i Madhëruar i thotë nëpërmjet këtij ajeti: Kudo që të përmendem, do të përmendesh më Mua; në ezan, në ikamet, në teshehud, ditën e xhuma në minbere, ditën e Fitrit, ditën e Kurbanit, në ditët e teshrikut, ditën e Arefatit, tek xhemeratet, në Safa e Merva, në hytben e martesës, në lindje e në perëndim”.

Dhe dije se, nëse një person e adhuron All-llahun e Madhëruar, duke e besuar xhennetin, xhehnemin dhe çdo gjë tjetër, por duke mos dëshmuar se Muhammedi është i Dërguar i All-llahut, nuk do të kishte asnjë dobi nga krejt që u përmend dhe do të ishte prej femohuesve!

Poashtu kanë thënë: E lartësuam përmendjen tënde, duke të përmendur në krejt librat e shpallur të dërguarve para teje, sikurse i urdhëruar ata që të jepnin sihariq për ardhjen tënde! …

Poashtu kanë thënë: E lartësuam përmendjen tënde tek melekët në qiell dhe në tokë tek besimtarët! Edhe në ahiret do ta lartësojmë përmendjen tënde, duke të dhënë pozitën e lavdëruar dhe shkallët më të larta”.

Imam Nesefiu në tefsirin e tij sqaron se prej lartësimit që i është bërë emrit të Hz. Muhammedit (a.s.) në Kur’an është edhe: “përmendja e tij; Resulull-llah dhe Nebijull-llah, si dhe përmendja në Librat e mëparshëm”.

Imam Muhamed B. Sytari
(Nga ligjërata me rastin e Mevludit Sherifë, Rebstein, 25 nëntor 2018)

 — in Rebstein, Switzerland.