“Ajo kërkoi aq sa desht, ne i dhamë aq sa patëm mundësi!”

Mbrëmë hyra në një restorant. Para derës qëndronte një lypsar, që për një moment iu drejtua shefit të shavormasë, me gjysëm zëri: A mund të më japësh një sanduiç nga tepricat?

Shefi ia ktheu: Pse nga tepricat? Do të përgatis menjëherë dy-tre sanduiçë të mirë!

Lypsari u turpërua, ndërsa shefi nisi të priste mishin e pjekur… Pasi i përgatiti disa sanduiçe, i vendosi në një qese, së bashku me një pako të mbushur me patate të fërguara, ca turshi dhe një pije freskuese dhe, duke i buzëqeshur iu drejtua: Të bëfshin mirë!

Lypsarit i shndritën sytë, iu mbushën me lot dhe duke e falënderuar shefin, u largua i lumtur në vetvete. Me siguri, lumturia e mbështetjes morale që kishte marrë, ishte më e madhe sesa vetë shijimi i një darke kalimtare, por me zemër të madhe…

Një herë, një grua e varfër erdhi tek Imam Lejth ibn Sadi dhe kërkoi prej tij një enë me mjaltë. Imami i dha asaj një fuçi me mjaltë. I biri, i çuditur e pyeti se, përse i dha aq shumë? Imami ia ktheu: “Ajo kërkoi aq sa desht, ne i dhamë aq sa patëm mundësi!”

Kurrë mos e harro: Mbështetja morale dhe në ditë të vështirë, është sadekaja më e mirë!

Me përshtatje, nga arabishtja:
Muhamed B. Sytari

Shkodër, 17 dhjetor 2018