Medina- qyteti i ensarëve të bekuar deri në përjetësi…

Xhamia e Resulull-llahut (a.s.), nëse do të mund të përshkruhej, do të ngjante me një planet drite, ku siguria, paqja, qetësia dhe prehja e shpirtit janë të garantuara që në momentin e parë që minaret e ndriçuara me dritat jeshile, nisin të shfaqen në horizont…

Sa herë shkel në këtë tokë, ndjej se jam pjesë e saj, këtu kam qenë edhe dje, edhe pardje, edhe në pranverë e verë, edhe në vjeshtë e dimër, edhe në janar e shkurt, edhe në 12 muajt e vitit diellor, po aq edhe në muajt e vitit hënor, pa ndërprerje e pa shkëputje..!

Ndjej se, këtu kam lindur, këtu kam thithur ajrin e pastër të beaimit dhe dorëzimit, këtu kam shtrënguar dorën e Resulull-llahut (a.s.) në besëlidhje, këtu jam rritur, këtu është caku im dhe këtu dua të largohem nga kjo botë! Në pragun e Bakias dua të mbështes kokën, për të mos u ndarë më përjetësisht me këtë Dritë e këtë Besë..!

Sa herë shkel mbi këtë tokë, ajo vazhdon të më mirëpresë. Edhe kur e kuptoj mirë se, hera-hera jam larguar e, herë-herë, i penduar nga largimi, jam kthyer si fëmijë i vogël, që pa e kuptuar as ai vetë se si e sa, e dëshmon me sjellje e lotë zemre se është i pamundur të qëndrojë larg Nanës…

Sa herë shkel mbi këtë tokë, ajo sërish më hap krahët dhe, për aq sa jam në gjirin e saj, më bahet se, është vetëm e imja.., edhe pse ajo nuk bën të jetë pragu i vetëm njërit prej bijve të saj..!

Sa herë shkel mbi këtë tokë, detyrimisht do të ndjehem i panevojshëm për të menduar për mungesat e mia të natyrshme, aq sa para saj ndjehem aq i madh dhe aq i plotësuar, por aq i vogël e po aq nevojtar, sa edhe përkufizimet e modestisë dhe krenarisë, sikur shkrihen dhe përhumben në madhështinë e Dritës së saj..!

Jam krejt i bindur se, këtë vend e ka vulosur Zoti i gjithësisë me përcaktimin e mikpritjes dhe zemërmirësisë, që kulmoi me ditën, kur Resulull-llahu (a.s.) u lut për këtë qytet, që All-llahu i Madhëruar t’i jepte dyfishin e bekimeve të Mekës, pasi banorët e tij i hapën dyert e zemrave, para se të garonin se kush do ta strehonte në shtëpinë e tij!

Medina e ensarëve, për të cilët i Dërguari u lut, duke kërkuar nga Zoti i botëve që Ai t’i mëshironte ata, bijtë e tyre dhe bijtë e bijve të tyre!

Dhe, ndjehet kudo eliksiri i këtij bekimi-duá dhe kësaj duaje-bekim për ensarët dhe bijtë e tyre, deri në cakun e fundit të kësaj bote.

Medina- qyteti i ensarëve të bekuar deri në përjetësi…

Muhamed B. Sytari 
Medina e Ndriçuar e Resulull-llahut (a.s.), 22 dhjetor 2018