Para Kupolës së Gjelbërt…

Para Kupolës së Gjelbërt, në heshtje të kërkoj, gjurmëve të lashta të shekujve, lyer me miskun e prezencës tënde… Si erë e lehtë fllad udhëzimi, më tërheq nga Drita jote, si valë e butë, një fjalë, një vepër, një vështrim, një miratim, një moment bekimi…

Para Kupolës së Gjelbërt, në shoqëri të mallit për ty, të thërras me të madhe, sa zemra ngrihet në këmbë në respekt të emrit tënd… Të kërkoj, të të gjej, të të shoh e të ulem pranë teje, nën hijen e një peme besëlidhjeje…

Para Kupolës së Gjelbërt, me sytë e mbyllur, në hapësira kohësh mundohem të udhëtoj, të prek gjurmën tënde, mallin e botës e salavatet e kohëve, që pa ia nda, për ty këndojnë…

Para Kupolës së Gjelbërt, në një natë të vonë, e ndala hapin… e ktheva kokën dhe m’u bë se një prekje malli, zemrës selam i dha… Si prekjet e rrymave të ajrit, që jetës i japin gjallëri, në kohë vape mbytëse, në kohë zbrazëtie, në humbëtira kohësh…

Para Kupolës së Gjelbërt, aty ku prehja dhe qetësia mbajnë frymën para prezencës tënde, bota sillet e qetë në sigurinë që jep emri i madh i shfaqjes tënde, o “Mëshirë e dhuruar”, që botës i mungon e, paqe nga shfaqja e jote merr pambarimisht…

Para Kupolës së Gjelbërt, sihariqet e shekujve mblidhen në një pikë, si begati hyjnore për të sotmen e të ardhmen e botës, njeriut, jetës… Frymëzojnë rrugëtime të reja drejt horizonteve të sakrificës, me emrin e Zotit në zemër e imazhin e dërgesës tënde në mendje…

Para Kupolës së Gjelbërt, aty, ku edhe koha bie salavate, me kokën drejtuar nga kibla, në falënderim për shfaqjen tënde, o Lutje e të Parëve, o Sihariq i të Mirëve…


Muhamed B. Sytari
Shkodër, 21 dhjetor 2015