All-llahumme sal-li ve selim ve barik…

Është shkruar dhe komentuar shumë mbi madhështinë e Resulull-llahut (a.s.) dhe dashninë e madhe me të cilën i është drejtuar Zoti i gjithësisë. Është e papërshkrueshme dhe e paimagjinueshme kjo gradë e lartë në të cilën e ka vendosur Krijuesi i tanësisë.

Vetë Resulull-llahu (a.s.), duke na shpjeguar madhështinë e salavatit, udhëzonte: “Ai që më çon një salavat, melekët do të vazhdojnë të bien salavate për të! Le ta pakësojë robi salavatin, ose le ta shtojë!” – (Ahmedi, Ibn Ebi Shejbeh dhe Ibn Maxheh, nga Amir ibn Rebia, nga i ati)

Diku tjetër, na drejtohet: “Shtojeni salavatin për mua në ditën e xhuma, sepse pak më parë më erdhi Xhibrili me një lajm nga Zoti i tij (azze ve xhel-le), tha: Nuk ka musliman mbi Tokë, që të çon salavat, një herë të vetme, veçse do t’i çojmë; Unë dhe melekët e Mi, dhjetë salavate!” – (Tabaraniu, nga Enesi)

Prandaj, të dashur të zemrës, shtojeni virdin e salavatit dhe çoni selam pa ndërprerje Zotërisë së bijve të Ademit, Hz. Muhammedit (a.s.), pasi salavati për zotërinë e tij është dritë, qetësim, mëshirë e bekim nga All-llahu i Madhëruar, garanci e siguri nga hallet e brengat e kësaj jete dhe të asaj që vjen!

Iu drejtua sahabiut të nderuar Ubej ibn Ka’b (r.a.), kur ky i fundit i tha Resulull-llahut (a.s.) se, do ia kushtonte krejt lutjen salavatit për zotërinë e tij: “Atëherë, do të mbrohesh nga hallet e tua dhe do të falet gjynahu jot!” – (Ahmedi dhe Tirmidhiu)

Prandaj, mos ta humbim kohën, ta shtojmë salavatin për të Dërguarin e All-llahut, duke u afruar nëpërmjet këtij veprimi me All-llahun e Madhëruar, të Dërguarin e Tij dhe udhëzimin që vjen prej tyre, si bekim për jetën tonë!

Sa më e madhe të jetë lidhja e dashnisë, aq më e pastër dhe e qartë bëhet mënyra sesi e lexojmë dhe e kuptojmë fjalën dhe traditën e tij (a.s.)! Sa më shumë që afrohemi me zotninë e tij, nëpërmjet salavateve, aq më tepër fitojmë bekime dhe mëshirë nga Zoti i gjithësisë: për vete, për familjen, mjedisin dhe realitetet ku jetojmë!

All-llahumme sal-li ve sel-lim ve barik ala abdike ve nebijjike Muhammed, salaten ve selamen daimejni ila jeumid-din!

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, 20 dhjetor 2018

(Nga dersi i kësaj mbrëmje në xhaminë e Tophanës)