Më shumë se një kujtim, për të mirin Hoxhë..!

19 shkurt 2013, një ditë e cila solli me vete lajmin e kalimit në jetën e përhershme, të Hoxhës së palodhur, edukatorit me sjellje e vepra, njeriut të urtë, shkollarit të thelluar, detit të diturive, përpapësit të paqes e mirësisë, si flladet pranverore që gjallëri dhurojnë, Zotërisë tonë, Shejkh Vehbi Sulejman Gavoçi!

Sot bëhen gjashtë vite, por zemra e di shumë mirë se, dashnia e Hoxhës është gdhendur në brendësinë e saj, aq sa me çdo rrahje, ajo vazhdon të pulsojë nderim e respekt, përzier me mall e ndjenjë mungese për Dritën e shfaqjes së Zotërisë së tij, si diell që ndriçon nga lartësitë e dhuruara nga Krijuesi i gjithësisë!

Sot, librat, kujtimet, letrat e këshillat e regjistruara, vazhdojnë të flasin me ëmbëlsinë e shfaqjes së tij, si një sadeka rrjedhëse, shpërblimet e së cilës vazhdojnë t’i shkojnë, edhe si dëshmi e përuljes para bekimit të madh, me të cilin, All-llahu i Madhëruar na zbukuroi jetën, ditën e takimit tonë të parë dhe qëndrimin në besë..!

Sa herë e kujtoj Hoxhën, më vjen ndër mend Hafiz Musa Hoxha (All-llahu e shpërbleftë me mirësitë e Tij), i cili, ndonëse në moshë të thyer, kur kujtonte Hoxhën e tij, Haxhi Muhamed Bekteshin, mekej dhe i shkonin lotët nga malli.

I habitur nga pamja e tij, pyesja me vete se, çfarë ishte kjo lidhje, që e bënte Hoxhën mjekërbardhë, në moshë të thyer e në kufijtë e pleqërisë së mbrame, të qante për Hoxhën e tij rahmetli, që ishte ndarë nga kjo botë që më shumë se gjysëm shekulli më parë? Pa dyshim dashnia e sinqertë dhe gjurma e shembullit të gdhendur në vetëdije, mbi të cilin ndërtohet jeta, me krejt detajet e saj!

Dashnia dhe malli për fytyrën e tij plot nur, zërin me ëmbëlsinë e timberit të mekur, lëvizjet e paqta, buzëqeshjet plot dritë, reagimet plot dridhje zemre për hallet e njerëzimit, përgjigjet e urta për pyetjet e shumta, modestinë e pashembullt, vrullin e Thirrjes e përvëlimin e zemrës për këtë fé të madhnueshme islame, për të cilën jetoi dhe, për shërbimin e së cilës na mori besën!

Hoxha, rahmet pastë, ishte dhe mbeti kufiri i ndarjes nga një kohë e një botë, drejt një kohe e një bote, universi i së cilës sillet rreth një orbite në cakun e të shenjtës, thelbi i së cilës dëshmon në vetvete thirrjen ndërtuese: “Zoti im, Ti je qëllimi im! Pëlqimi Yt, është kërkesa ime!”.

Me këtë u edukuam, për të jetuar me dinjitet, për të shërbyer me korrektësi, për të mos bërë kompromise me fenë, as për ta përdorur atë për qëllime të kësaj bote kalimtare! Për t’i dashur krijesat e Zotit për Krijuesin e tyre, jo për forma e interesa, për ta thënë të vërtetën me mirësi e guxim, për të mos pranuar poshtërimin e fesë, as nënçmimin e saj! Për ta përhapur këtë dritë të pashuar islame, sa të jemi, deri në frymën e fundit, duke mos pritur falënderime, as mirënjohje nga askush në botë, duke shpresuar pranimin tek Mëshirëbërësi dhe takimin tek kroi i Resulull-llahut (a.s.) në ditën e gjykimit!

Gjashtë vjet, si një perde ndarëse, që kurrë s’e ndau zemrën nga përmendja e mirësisë së Zotit; shfaqjen e Zotnisë Tande në jetën e saj!

Si djalë, Muhamedi…

Shkodër, 19 shkurt 2019