
Shpesh e shoh këtë foto dhe pyes veten: A thua ishte e vërtetë? A isha edhe unë atje? A e shkela edhe unë tokën e tij? A e preka cakun? A e mblshteta kokën tek pragu i tij? A e lashë lotin amanet, si farë e shëndoshë dashnie në tokën e tij pjellore? A i dhashë selam duke vështruar në pasqyrën e zemrës?
Edhe të tjerë e shkelën atë cak, por devijuan!? Edhe të tjerë e panë, por s’e pranuan!? Edhe të shumtë pretenduan lidhjen, por mashtruan!? Edhe të shumtë u hoqën si të afërt, por u larguan..!? Pra, mos të të gënjejë një foto, as dy, as njëmijë, o njeri..!
Realisht, meseleja është me ditë me qëndru në besë dhe me e mbajtë atë, përtej sfidave, tundimeve, pengesave e hendeqeve të përballjes në rrugëtimet e thirrjes për t’u dëshmuar si: “vëllezër” të Resulull-llahut (a.s.), për të cilët u përmall një ditë në mesin e sahabëve të tij..!
Meseleja është tek aftësia dhe vullneti i patundur për të jetuar si një nga ata, që: “do të jepte ndonjëri prej tyre pasuri e fëmijë, për të më parë!”, nga shkrirja në dashninë që jetës i jep kuptim, që zemrën mban gjallë, që hijet e rreme e copëzat e pasqyrave të thyera që duan të zënë vend rrejshëm në mesin tonë, arrin të dallojë mbështetur mbi sekretet e dritës së zemrave të gjalla me dhikrin e Hakut..!
Meseleja është të ndjesh se je i thirrur të ecësh pas tij, se aty është krejt esenca e tjirrjeve shekullore, respekti, nderimi, ekuilibri, e vërteta, pas së cilës nuk ka më argument për zemrën që kërkon qetësi e prehje..!
Meseleja është se sa i aftë është besimtari të vetëndreqet, i shoqëruar nga ftesa transparente për të jetuar ihsanin në përditshmërinë e tij, si njeri i thjeshtë, si kërkues i etur i dritës së udhëzimit, si rrugëtues i heshtur drejt pëlqimit të Atij, në dorën e të Cilit është tanësia, përfshi edhe të voglin njeri..!
Meseleja, krejt meseleja është me të dhanë besën, ja Resulall-llah, me e mbrojtë e me e dashtë atë, me e ruajtë e me e pasë në bebe të syrit, me e shtrëngu fort e me e përhapë pa ndrojtje, me ia thanë njerëzve e me i ftu drejt saj, plot dashni e dashamirësi ndaj secilit!
Pastaj, ka vetëm një dëshmi që e mbush botën e njeriut me dritën e dashnisë së palëkundur: “Njerëzit më afër meje janë të përkushtuarit, kushdo qofshin, kudo qofshin!”…
Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, 11/6/2019