Mblidhe zemrën dhe eja, edhe për ty ka vend!

Mbikqyrja e All-llahut në çdo detaj të jetës, është balsam për shërimin e shumë lëngatave që brengosin njeriun, si krijesë, si: hutimi i vazhdueshëm ndaj dinamikës së jetës kalimtare, neglizhenca ndaj kohës, që shkon pa kthim, smira për çdo gjë, zilia ndaj tjetrit, devijimi i pavetëdijshëm, rrëshqitja nga faktorë të jashtëm, që nganjëherë të veshur edhe me petkun e fesë, shpesh tërheqin individin a grupe të caktuara shoqërore drejt stereotipeve të izoluara, që veten e shohin mbi të tjerët, por jo vetëm kaq!

Për të perfeksionuar mbikqyrjen e All-llahut në jetë lypset që njeriu të rrugëtojë me zemër e shpirt drejt Tij, ta shtojë përmendjen e Tij në vazhdimësi, të pastrojë të brendshmen dhe të zbukurojë të jashtmen, të evitojë debatet shterpë, bisedat e kota, thashethemet, përfoljen e tjetrit, si dhe të kërkojë mbrojtjen e All-llahut nga cytjet dhe vesveset e të mallkuarit dhe mos ta shohë kurrë veten me syrin e vetkënaqësisë!

Realizimi me përpikmëri i obligimeve parësore ditore dhe zbukurimi me adhurime vullnetare shtesë, e lartësojnë besimtarin drejt gradës së dashnisë dhe afrimitetit me All-llahun e Madhëruar, deri në atë shkallë sa njeriu fillon të ndjejë për Zotin dhe të shijojë krijimet e Tij! Nisë të dojë për tjetrin, atë që do për veten dhe e gjen veten të tërhequr drejt heshtjes dhe mëshirës për të tjerët, bazuar mbi dy caqe të rëndësishme: “Madhërimi i urdhërit të All-llahut dhe dhembshuria e mëshira për krijesat e Tij!”. Atë që Ai e do, e do dhe, atë që s’e pëlqen, e refuzon!

Individi i tillë është bekim dhe garanci për shoqërinë! Prej tij pritet veç e mira, drejtësia, ekuilibri dhe prirja për të ndërtuar në jetë, përtej paragjykimit, mendimit të pamatur, tifozërive të verbra, fanatizmit egoist, e përtej tyre!

Individi dhe shoqëria islame sot, janë të ftuar të kapërcejnë pragun e rutinës mbytëse, gabimeve të së shkuarës së largët e të afërt, pasigurive që shkaktojnë risitë pa bazë dhe ekuilibër, në individë dhe fenomene, si dhe të vlerësojnë çdo ditë si një mundësi e re e afrimit me All-llahun e Madhëruar dhe udhëzimin e Tij, dera e të Cilit nuk i mbyllet askujt, sado gjynahqar e rrugëtues drejt gabimit që të jetë!

Mblidhe zemrën dhe eja, edhe për ty ka vend!

Imam Muhamed B. Sytari 
Shkodër, 13 qershor 2019