
Është e mrekullueshme bota e besimit! Shpesh njeriu nuk e kupton se çfarë po ndodh me të, thjeshtë e ndjen veten mirë, të rehatuar e në një qetësi që askush veç tij s’e kupton!
Është pikërisht ai moment, kur njeriu percepton se diçka përtej materiales së thatë dhe të natyrshmes së zakonshme, ia ka prekur zemrën, si fllad, që në fillim s’e kupton gjuhën e ëmbëlsisë e bukurisë së tij e, gati-gati s’ia di as prejardhjen!..
Por, me një të mbyllur të syve dhe me një frymëmarrje të thellë, që zhytet në thellësinë e qenies, nisë të kuptojë se zemra e ka gjetur busullën e qetësisë së saj, atë e ka bërë cak dhe prej aty rrugëton drejt një drite e një dashnie, që nuk ka të krahasuar me asgjë në botë!
Është pikërisht ai, caku i thirrjes së shenjtë e të lashtë, që lexohet ndër breza: “Pa dyshim se, me përmendjen e All-llahut qetësohen zemrat!”.
Është ai qetësim e ajo mirësi, që e rrethon qenien tënde, teksa me heshtje e ndjen zemrën duke thirrur në ritmet e dashnisë së saj: “All-llah, All-llah…”!
Mos i ndërhyj, thjeshtë lëre në tavafet e saj përreth Dashnisë së shumëpritur e Dritës së shumëkërkuar..!
Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, 15/6/2019