Besa e shenjtë e besimit dhe e bindjes!

Të gjitha falënderimet e plota dhe madhështia absolute i takojnë vetëm All-llahut të Madhëruar, Zotit të vetëm të gjithësisë, i Cili na udhëzoi në Islam dhe na bëri pjesë të më të mirit ymmet!

Salavatet dhe selamet më të përzemërta ia dërgojmë sot, në këtë ditë dhe në çdo moment të jetës sonë, Ma të Mirit e Ma të Dashtunit Pejgamber, zotërisë së bijve të Ademit, Hz. Muhammedit (a.s.), që u dërgua mëshirë për tanësinë!

Të dashur besimtarë,

Në këtë hytbe të parafundit të muajit të fundit të vitit 1440 h., në prag të përkujtimit të ngjarjes më të rëndësishme në jetën e Resulull-llahut (a.s.), që ndryshoi rrjedhat e historisë së njerëzimit; Hixhretit të lavdishëm, më lejoni të ndaj me ju një detaj nga udhëtimi i grupit të haxhilerëve shkodranë, disa ditë më parë, teksa ktheheshim nga Meka drejt Medines së Ndriçuar.

Është një udhëtim i shumëpritur, ku haxhilerët largohen të përmalluar nga Meka e begatuar me Qaben e Madhnueshme, drejt Medines së begatuar me Resulull-llahun (a.s.), për jetën e të cilit betohet vetë Zoti i gjithësisë në Kur’anin Famëlartë.

Ndërkohë që kishin ngelur edhe 75 km pa hyrë në Medinen e Ndriçuar, pas këshillimit me murshidin e grupit tonë, u ngrita të flas. Ça të flisja e si të flisja? Më dukej se krejt fjalët më ishin lidhur në grykë dhe nuk dilnin. Është një moment kur njeriu është i mbushur me emocionet e udhëtimit dhe, destinacioni final është i gdhendur në mendje e zemër, të cilat, nga ana e tyre, pulsojnë mall dhe padurim deri në mbërritjen e shumëpritur.

Gjatë gjithë kohës, në hatër më vinin dy momente kulminante në jetën e Resulull-llahut (a.s.) në Medine. Dy momente, që janë fiksuar në Kur’anin Famëlartë dhe që për korrektësi të amanetit, po i vendos para duarve tuaja sot, në këtë hytbe të parë, pas kthimit nga Haxhi i këtij viti.

Momenti i parë është ajeti i dhjeti i sures El-Fet’h, ku All-llahu i Madhëruar dëshmon se: “Ata që të japin besën ty, në të vërtetë ata i zotohen All-llahut, dora e All-llahut është mbi duart e tyre. E kush e thyen (zotimin), ai e thyen vetëm në dëm të vetes së tij, e kush e zbaton atë që i është zotuar All-llahut, Ai do t’i japë atij shpërblim të madh.”[1]

Dhe, ejani të ndalemi pak tek kuptimet e këtij ajeti, kontekstet e shpalljes së tij dhe mirësinë që ka për ne deri në ditën e kijametit.

Vëllezër të shtrenjtë,

Gjithsecili prej nesh ka nevojë që herë pas here ta ripërtërijë besimin e tij, ashtu siç porosit edhe Resulull-llahu (a.s.): “Ripërtërijeni besimin tuaj” – I thanë: Si ta ripërtërijmë besimin tonë, o i Dërguar i All-llahut? Tha: “Shtojeni shprehjen: La ilahe il-lall-llah”.[2]

Nga këtu, kemi nevojë të shohim në vetvete cilësinë e marrëdhënies me fenë tonë, gatishmërinë për t’iu përgjigjur All-llahut dhe të dërguarit të Tij, forcën për të ndryshur secili në vetvete, që më pas të mos shohim këto modele dekadente që e marrin vendin dhe shoqërinë, pasuritë dhe mirësitë, me të cilat na ka begatuar All-llahu, drejt greminës dhe mjerimit, pasigurisë dhe korrupsionit, krimit dhe shkatërrimit, që janë të dënuara në fenë e All-llahut dhe në traditat e Hz. Muhammedit (a.s.)!

Në tefsirin e ajetit të lartpërmendur, Imam Maturidiu, shkruan se: “Krejt komentatorët, a pjesa më e madhe e tyre, janë të mendimit se kjo besëlidhje e përmendur në këtë ajet, ka ndodhur në Hudejbije, atë ditë kur sahabët i dhanë besën Resulull-llahut (a.s.) që të mos i kthejnë shpinën, nëse do të përballeshin me armikun e tyre!

Ma’kil ibn Jesari (r.a.) thotë: Ditën e besëlidhjes së pemës, teksa Resulull-llahu i merrte besën njerëzve, unë ia largoja një degë nga degët e saj, nga koka e tij. Atë ditë ishim 1400 burra…”.[3]

Ndërsa Imam Fekhruddin Razi, shpjegon se kuptimi i ajetit: “dora e All-llahut”, “përmban dy kuptime: që do të thotë se dora, e përmendur në dy vende, ose ka dy kuptime të ndryshme, ose një kuptim të vetëm në të dy vendet. Dhe, kjo ka dy interpretime. I pari: “dora e All-llahut” me kuptimin: Mirësia e All-llahut qëndron mbi veprimin e tyre fisnik… I dyti: “dora e All-llahut është mbi duart e tyre”, pra: përkrahja e Tij ndaj tyre është më e fortë dhe më e lartë se përkrahja e tyre ndaj tij (pejgamberit). Ndërsa, nëse themi se “dora” këtu ka dy kuptime të ndryshme, themi: Në hak të All-llahut, ka kuptimet e mbrojtjes dhe, në hak të atyre që japin besën, ka kuptimet e gjymtyrës. ”.[4]

Disa ajete në vijim, All-llahu i Madhëruar dëshmon sërish: “Vërtet, All-llahu është i kënaqur me besimtarët kur ata nën hijen e asaj peme të zotoheshin ty dhe Ai e dinte se ç’kishin zemrat e tyre, andaj u dhuroi qetësimin dhe së shpejti i shpërbleu me fitore”.[5]

“Pra, i dhuroi qetësinë, rehatinë e nefsit dhe i forcoi zemrat e tyre”[6], siç e shpjegon edhe Imam Alusi në tefsirin e tij.

Prandaj, të dashurit e mi, sa herë që udhëtojmë drejt Resulull-llahut (a.s.), a sa herë biem salavate për zotninë e tij, sa herë na kujtohet një hadith, a sa herë lexojmë për jetën e tij (a.s.), ia vlen të ulemi pak në qetësi dhe t’i japim besën Resulull-llahut (a.s.) për të hequr dorë nga një gjynah, për të mos shkelur më në një ndalesë, për të shtuar edhe një adhurim, për të korrigjuar vetveten, për të bërë mirë e për të ndryshuar drejt më të mirës, ashtu si i takon një besimtari aktiv e të gjallë!

“Besa e dhënë Resulull-llahut (a.s.) në vetvete është besë e dhënë All-llahut të Madhëruar, i cili thotë: “në të vërtetë ata i zotohen All-llahut”. Sepse feja është parim hyjnor dhe sistem i shpallur nga qielli në tokë, drejt të cilit ne shkojmë.

Në të nuk ka njerëz, ai është i ndërtuar mbi parimet. E vërteta është se, sa më tepër që madhërohen parimet, aq më shumë zvogëlohen njerëzit dhe sa më tepër që zvogëlohen parimet, aq më shumë madhërohen njerëzit! Besimtari i sinqertë i ka dhënë (dhe i jep) besën All-llahut për bindje dhe sakrificë! Për këtë, qëllimi i tij është i madh…”.[7]

Ndërsa ajeti i dytë është i dymbëdhjeti i sures El-Mumtahine, ku Zoti i gjithësisë na sjell në vëmendje edhe besën që gratë besimtare i dhanë Resulull-llahut (a.s.): “O Pejgamber, kur të vijnë besimtaret që të të japin besën se: nuk do t’i shoqërojnë asnjë send All-llahut; se nuk do të vjedhin; se nuk do të bëjnë imoralitet; se nuk do t’i mbysin fëmijët e tyre; se nuk do të gënjejnë me ndonjë shpifje për (fëmijën e huaj që kanë marrë) se është i tyre; dhe se nuk do të të kundërshtojnë në atë që i urdhëron, atëherë prano zotimin e tyre dhe lute All-llahun t’i falë ato, se All-llahu është mëkatfalës dhe mëshirues.”[8]

Pra, ftesa është e hapur për besimtarët dhe besimtarët, pa përjashtim!

Prandaj pyete veten: A je gati t’ia japësh besën Resulull-llahut (a.s.) dhe vetë All-llahut të Madhëruar për të ecur në rrugën e virtyteve dhe ndërgjegjes së ushqyer me pastërtinë e besimit?

Vetëm duke ecur në rrugën e një marrëdhënie të fortë e korrekte me frymën e besëlidhjes së shenjtë, para duarve të Mësuesit të Madh, mund të shpresojmë në ndreqjen e të sotmes sonë dhe të ardhmes së fëmijëve tanë!

Imam Muhamed B. Sytari Myfti i Zonës Shkodër

(Hytbeja e mbajtur në xhaminë e Parrucës, ditën e xhuma, më 23 gusht 2019)


[1] Kur’ani, El-Fet’h: 10.

[2] Transmetuar nga Hakimi, nga Ebu Hurejra (r.a.).

[3] Imam Ebu Mensur El-Muturidi (v. 333 h.), Te’vilatu Ehlis-Sunneh, botimi i parë, 2005, Bejrut, Darul-kutubil-ilmijje, vëll. i 9-të, f. 298.

[4] Imam Fekhruddin Er-Razi (544-604 h.), Et-Tefsirul-Kebir, botimi i parë, 1990, Bejrut, Darul-kutubil-ilmijje, vëll. i 28-të, f. 75-76.

[5] Kur’ani, El-Fet’h: 18.

[6] Imam Shihabuddin Es-Sejjid Mahmud El-Alusi (v. 1270 h.), Rruhul-Meani, botimi i 4-t, 2014, Bejrut, Darul-kutubil-ilmijje, vëll. i 13-të, f. 261.

[7] Dr. Muhammed Ratib En-Nabulsi, Tefsirun-Nabulsi, botimi i parë, 2016, Aman, Muessesetul-fursan, vëll. i 8-të, f. 524.

[8] Kur’ani, El-Mumtahine: 12