Hadithi i familjes dhe ajeti i elitave!

Resulull-llahu (a.s.) na mëson: “Më të mirët ndër ju janë më të mirët me familjen e tyre!”.

Fillimisht duhet të kuptojmë se, hadithi që kemi para duarve është hadithi i përgjegjësive të mëdha që ka muslimani në jetën familjare. Ky është hadithi i familjes!

Është një porosi e shtrenjtë që na merr për dore drejt krijimit të familjes së shëndoshë muslimane, ku secili prej bashkëshortëve është përgjegjës për tjetrin dhe, të dy së bashku janë përgjegjës për familjen e tyre!

Po t’i referohemi ajeteve kur’anore dhe haditheve të shumta të regjistruara në koleksionet e sakta të trashëgimisë së Resulull-llahut (a.s.), do të kuptojmë se zanafilla e jetës mbi tokë është njeriu i parë (mashkull), i cili ndonëse jetonte në begati të panumërta, ndjehej i vetmuar, derisa i Plotëdijshmi (xh.sh.) krijoi për të palën tjetër (femrën), nga e njëjta origjinë njerëzore, për të jetuar të dy në harmoni me njëri-tjetrin!

Nga këtu themi se, në Islam është i ndaluar çdo devijim nga origjina e krijimit të njeriut në çift! Prandaj, Islami e ka ndaluar murgërinë, sikurse ka konsideruar si shthurrje të neveritshme të gjitha format e marrëdhënieve brenda të njëjtës gjini, veprimi i të cilave ka merituar ndër shekuj mallkimin dhe ndëshkimin më të rëndë nga Zoti i gjithësisë.

Mjafton të meditojmë rreth kuptimeve të emërtimit të Detit të Vdekur me këtë emërtim, si dhe të lexojmë për trashëgiminë e zymtë të murgërisë përgjatë shekujve, deri në ditët e sotme.

Në Islam, ne martohemi, ashtu siç na ka krijuar Zoti; trashëgojmë jetën dhe lutemi: [Edhe ata që thonë: “Zoti ynë, na bën që të jemi të gëzuar me (punën) e grave tona dhe pasardhësve tanë, e neve na bën prijës për të devotshmit”] – (El-Furkan: 74). Ky është ajeti i elitave!

Pra, jemi urdhëruar që të lutemi, që edukimi në familjen tonë të jetë përherë në shkallë progresive, drejt rritjes së vazhdueshme dhe qënies përherë elitë në shoqëri!

Në Islam, njeriu është përherë në garë drejt më të mirës. Që do të thotë se muslimani nuk e vuan kompleksin e “barazisë gjinore”, sepse natyrshëm, dy të ndryshëm nuk mund të jenë të barabartë! Por, në Islam, njeriu trajtohet për nga besimi, vepra, morali, sjellja, arritjet e tij.

Në Kur’an përmendet zonja Asja, virgjëresha Merjem, dy vajzat e Hz. Shuajbit, nëna e Musait, motra e Musait, gruaja e Imranit, e të tjera gra të mëdha të historisë së njerëzimit, që para madhështisë së tyre, miliona meshkuj nuk vlejnë asgjë! Sikurse përmenden burra të mëdhenj, që botës i dhanë jetë e dritë, nga drita e udhëzimit hyjnor!

Prandaj, ne si muslimanë, jemi të ftuar t’i kushtojmë vëmendje edukimit të fëmijëve, nxitjes së tyre për të qenë vetvetja; besimtarë të mirë, njerëz të pjekur, rrugëtues të palodhur drejt dijes e përkushtimit, familjarë të urtë, kontribues besnikë ndaj atdheut, shoqërisë e familjes së madhe njerëzore!

(Nga dersi i akshamit, më 26 tetor 2019, në xhaminë e “Dy Vajzave”)