Fjala në peshore…

“Ruaje këtë!”, iu drejtua Resulull-llahu (a.s.), Hz. Muadhit (r.a.), duke i bërë shenjë nga gjuha.

I habitur, sahabiu i ri në moshë ia ktheu: “Pse, a do të llogaritemi për çfarë flasim?”. Resulull-llahu (a.s.) i ktheu një përgjigje, që e befasoi edhe pyetësin, fundi i së cilës ishte: “Pse, a nuk do hidhen njerëzit me fytyrë në zjarr, veçse për shkak të rezultatit të gjuhëve të tyre?!”… Hadith i frikshëm, por një e vërtetë e madhe, rezultatet e së cilës shihen qartë në realitetet e jetës mbi tokë!

Sa e sa familje, shoqëri e miqësi janë prishur për shkak të një fjale, për një thashethem, për një përfolje të paqenë, për një shpifje a trillim? Sa njerëz e mbushin kohën e tyre me thashetheme e fjalë të shumta e pa dobi, ndërkohë që Resulull-llahu (a.s.) thotë: “Ndër më të urryerit tuaj për mua dhe më larg meje ndër ju në ditën e gjykimit janë llafazanët, gojëhapurit (që flasin shumë), fjalëmëdhenjtë (që shfaqin mendjemadhësi gjatë të folurit)!”. I Dërguari i All-llahut (a.s.) na mësoi se: “Me të vërtetë robi e flet një fjalë prej atyre fitojnë pëlqimin e All-llahut, pa i dhënë rëndësi, me të e lartëson All-llahu në shkallë të larta! Dhe, me të vërtetë robi e flet një fjalë, prej atyre që fitojnë zemërimin e All-llahut, pa i dhënë rëndësi, me të rrëshqet në xhehnem!”, siç e transmeton Imam Bukhariu.
Kjo na frymëzon drejt llogaritjes së fjalëve që themi çdo ditë, duke u përpjekur secili prej nesh të largohet nga sharjet, fyerjet, fjalët e ulëta, thashethemet e tavolinave, përgojimin e të ngjashme.

Dikur thonin: “Të pendohem për një fjalë të pathënë, është më mirë se të pendohem për një fjalë të thënë!”, sepse fjala është si plumbi, po doli nuk kthehet më!

Resulull-llahu (a.s.) thoshte: “Kush heshti, fitoi!”, duke na ftuar drejt përdorimit të mendjes përpara fjalës, ose të zgjedhim heshtjen, përpara se të jetë shumë vonë!

Të ruhemi nga vendet, ku gjuha nuk ka kufi! Të mos ulemi, aty ku konsumohet përgojimi e fjalët e shumta, prej të cilave s’ka asnjë dobi! Të mos bëhemi palë e shoqërive që nuk kanë edukatë e kulturë të foluri, fjala e të cilëve nuk ka asnjë peshë nga konsumimi i tepërt!

Shtimi i dhikrit, angazhimi i vazhdueshëm me lexime të dobishme nga Kur’ani, jeta e pejgamberëve, salavatet e panumërta, etj., do të ishin një zgjidhje e dobishme në rrugën e rregullimit të marrëdhënies që kemi me fjalën!

(Nga dersi i akshamit, më 7 nëntor 2019, në xhaminë e Tophanës)