Takvaja, sirri i sirreve..!

Takvaja është sekreti i dëshmimit të madhështisë së fesë dhe ndikimit të saj në qenien tonë, jashtë mureve të xhamisë, aty ku jeta ka betejat e veta dhe ku, muslimani ka mundësi ta dëshmojë veten si njeri fisnik dhe ndërtues i vlerave!

Zoti na krijoi të ndryshëm, për të plotësuar njëti-tjetrin, për të ndërtuar bashkarisht të mirën dhe vlerat në jetë, për të bashkuar duart në realizimin e qëllimeve të larta që jetës i japin ngjyrë e dritë!

Një mjek ka nevojë për bukëpjekësin, inxhinieri për elektriçistin, mekaniku për dentisitin, futbollisti për infermierin, ekonomisti për blegtorin dhe kështu me radhë. Nëse e zgjerojmë rrethin do të shohim se, ka vende që jetojnë nga nafta, vende të tjera nga turizmi, diku nga frutat e diku nga blegtoria.

Kështu, Krijuesi i gjithësisë na tregon se, në jetën tonë të përditshme, kemi përherë nevojë për kuptimet e takvasë, përkushtimit ndaj Zotit, që të vlerësojmë çdo moment e bekim, si mundësi e dhënë për të dëshmuar shembullin e lartë të besimit e fetarizmit të shëndoshë, larg egoizmit, armiqësisë e mendjes së mbyllur!

Dëgjova para ca ditësh në një ceremoni promovimi, dikë që thoshte me mburrje se u bënë 100 vjet që nga dita kur femra e parë shqiptare ka luajtur në skenën e teatrit. (Qesha me vete, duke menduar se sa shumë është deformuar njësia matëse e vlerave dhe arritjeve në jetën tonë!?)

A më thotë dikush se sa luftra janë evituar në botë gjatë këtyre 100 viteve në botë? Sa buxhete lufte janë kursyer për t’u rritur mirëqenia e jetës së njeriut mbi tokë? Sa zhvatje të padrejta të shteteve “të zhvilluara” ndaj “botës së tretë” janë ndaluar? Sa qindra mijëra jetë të pafajshme janë ruajtur nga vdekja makabre për shkak të shpërthimeve, bombardimeve, raketave, helmimeve e embargove katile ndaj njerëzve të pambrojtur?

Këtu më vjen në hatër bariu i vogël, të cilit i kërkuan pak qumësht. Ai kërkoi ndjesë, sepse nuk ishte kopeja e tij. I kërkuan të blejnë një kafshë të vogël. Ai kërkoi ndjesë, se ishin amanet i zotërisë së tij. I kërkuan t’i jepnin një shumë dhe pasi ta merrnin kafshën e vogël, ai t’i thoshte zotërisë se ajo kishte humbur, a e kishte ngrënë ujku! Djali, duke vështruar me habi ia ktheu: “Po All-llahu ku është? Po All-llahu ku është?”…

Po flasim për takvanë, sirrin e sirreve që e bën njeriun të dallojë nga çdo krijesë tjetër e Zotit; të cilit, Krijuesi i gjithësisë i dha mendjen, ia ndriçoi atë me dërgesa profetike e shpalljen hyjnore!

Po flasim për takvanë, për të cilën, Resulull-llahu (a.s.) bënte me shenjë nga zemra, teksa thoshte me të madhe: “Takvaja është këtu! Takvaja është këtu! Takvaja është këtu!”…

(Nga dersi i sabahut, më 5 nëntor 2019, në xhaminë e Parrucës)