Mos u bëni si ata që mohuan të vërtetën nga beni israilët..!

Urdhërimi për mirë dhe ndalimi i të keqes në shoqërinë islame, është pa dyshim djepi ku përkundet vërtetësia e besimit dhe fesë, sikurse është nxitja që na bën Zoti i gjithësisë dhe i dërguari i Tij, për ta dëshmuar fenë dhe moralin e besimit në mënyrën më elitare!

Ka dy momente interesante në Kur’anin Famëlartë, nëpërmjet të cilëve jemi ftuar të kuptojmë peshën e madhe që ka kjo shtyllë e fesë për vlerësimin tonë në peshoren e Krijuesit të gjithësisë!

Momenti i parë: Ajeti 110 i sures Ali Imran: “Ju jeni populli më i dobishëm, i ardhur për të mirën e njerëzve, urdhëroni për mirë, ndaloni nga veprat e këqija dhe besoni në All-llahun…”.

Momenti i dytë: Ajetet 78-79 të sures El-Maide: “Ata që mohuan të vërtetën nga beni israilët, u mallkuan prej gjuhës së Davudit dhe Isait, të birit të Merjemes. Kështu u veprua sepse kundërshtuan dhe e tepruan. Ata ishin që nuk ndalonin njëri-tjetrin nga e keqja që punonin. E ajo që bënin ishte e shëmtuar.”.

Nëse lexojmë me vëmendje, kuptojmë se sekreti i të dy cilësimeve diametralisht të kundërta është urdhërimi për mirë dhe ndalimi i të keqes!

Me fjalë të tjera, Kur’ani na fton drejt të jetuarit me përgjegjësi dhe dinjitet, ku secili është i ftuar të përhapë të mirën dhe të parandalojë të keqen, me sa të ketë mundësi!

Duke nisur me veten, familjen, rrethin familjar, atë shoqëror e me radhë, muslimani është i ftuar të jetojë me shije e pozitë të lartë dinjiteti e krenarie legjitime, si krijesa, të cilës Zoti i gjithësisë i ka besuar mëkëmbësinë e Tij, ndërtimin e jetës dhe ruajtjen e ekuilibrave në të!

(Nga dersi i sabahut, më 11 nëntor 2019, në xhaminë e Parrucës)