Mos ia mbyll njeriu, atë derë që Zoti ia ka lënë të hapur!

Është madhështor ajeti 112 i sures Et-Teube, Zoti i gjithësisë na tregon për nëntë kategori njerëzish, që në ditën e gjykimit do të kenë myzhde nga Krijuesi i tyre, do të jenë prej banorëve të xhennetit! Urdhëron dhe thotë: “Ata që pendohen, edhe adhuruesit, edhe falënderuesit, edhe agjëruesit, edhe ata që përulen në ruku, edhe ata që bien në sexhde, edhe ata që urdhërojnë për të mirë, edhe ata që ndalojnë nga të këqijat, edhe ata që përmbushin dispozitat e All-llahut, pra, përgëzoji besimtarët!”.

Kategoria e parë i këtij grupi fatlum janë të penduarit. Sepse dera e pendimit dhe e kthimit nga All-llahu i Madhëruar, është derë që nuk mbyllet, përderisa në trup ka shpirt! Në Islam, përherë ka shpresë dhe, njeriu, sado gjynahqar që të jetë, kur kthehet me zemër dhe me qëllim të pastër, çdo gjë e shkuar i fshihet, përderisa nuk është hak prej haqeve a borxheve ndaj dikukt prej racës njerëzore!

Askush nuk ka të drejtë t’ia mbyllë dikujt derën e kthimit, faljes dhe mëshirës së All-llahut! Muslimani është i ftuar ta lexojë mirë këtë ajet dhe, nëpërmjet thirrjes së tij të urtë, t’i hapë krahët e zemrës gjithkujt, që don të kthehet, sado i zhytur në gjynahe e gabime në hak të Zotit, që mund të jetë!

Ka shumë rëndësi për muslimanin të kuptojë vlerën e urdhërimit për mirë dhe ndalimit të së keqes në jetë! Nëpërmjet këtij institucioni, muslimani është i ftuar të pajiset me dije e urtësi, me pastrim të nijetit e me vullnet për të përhapur të mirën kudo e me këdo, për të repektuar vlerat e besimit dhe për të ftuar drejt tij, me tërë forcën e shpirtit dhe me krejt dëshirën e sinqertë për të ofruar të mirën, sa të jetë në këtë botë kalimtare.

(Nga dersi i sabahut, më 13 nëntor 2019, në xhaminë e Parrucës)