Muslimani – njeriu i mirësisë, i dobisë për tjetrin!

Hadithi: “Më i miri i njerëzve është më i dobishmi i tyre për ta!”, buron nga tekste të shumta kur’anore, ku muslimani urdhërohet dhe nxitet drejt veprimit të së mirës në jetë dhe qenies së tij i dobishëm për tjetrin, kushdo qoftë ai!

Me fjalë të tjera, feja islame kërkon nga pasuesit e saj, që kur të përmendet emri musliman, menjëherë të na shkojë ndër mend vepruesi i të mirës, njeriu i dobishëm, i përkushtuari drejt më të mirës në jetë!

Nga këtu, më duhet të tërheq vëmendjen e disa të rinjve, që kanë hyrë në xhami nga dera e gabuar, ose e kanë lexuar fenë pa një udhëzues të urtë; të rinj, që në emër të fesë janë të ngurtë e të pasjellshëm me familjarët e tyre, janë të mbyllur në shoqëri, janë arrogantë e fyes ndaj të afërmve, që ndoshta nuk falen e nuk janë udhëzuar plotësisht në fé!? Askush nuk ka të drejtë të shajë e të mallkojë dikë për diçka që nuk është ngarkuar, as i është kërkuar prej Zotit a të dërguarit të Tij!

Muslimani është i ftuar për ta bërë fenë të dashur, nëpërmjet shembullit pozitiv, fjalës së urtë, butësisë dhe mirësjelljes, thirrjes me bindje e argument, sidomos me familjarët e të afërmit, edhe nëse nuk vijnë në xhami e nuk falen, edhe nëse nuk agjërojnë e janë të paditur në fé, për shkaqe nga më të ndryshme! Feja nuk ka ardhur për t’i marrë frymën njeriu, jo e kundërta, sepse e kundërta nuk është morali ynë!

Muslimani ka të drejtën e thirrjes me urtësi e butësi, ndërsa udhëzimi është në dorën e All-llahut të Madhëruar!

Nuk e kemi lexuar në ndonjë transmetim që Resulull-llahu (a.s.) ta ketë sharë a fyer axhën e tij, Ebu Talibin, sepse ai nuk e pranoi thirrjen e tij, ndonëse ishte përkrahësi i tij më i madh!

Muslimani është i dobishëm, i do të mirën krejt krijesave të Zotit, pa dallim në mesin e tyre, sepse udhëzimi i Kur’anit dhe ai i Hz. Muhammedit (a.s.) e merr për dore drejt të mirës dhe veprimit të saj, me nijet të pastër për fitimin e pëlqimit të Zotit!

Sa e sa ajete na nxisin dhe na frymëzojnë drejt kuptimit dhe bindjes së palëkundur se, Zoti ynë do të mirën, vepron të mirën, nxit të mirën dhe shpërblen për të! Prandaj, le të kthehemi nga kjo porosi e madhe, me të cilën Resulull-llahu (a.s.) na frymëzon drejt botës së shembujve rrezatues të dobisë, mirësisë dhe paqes!

(Nga dersi i sabahut, mbajtur nga Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari,
më 18 nëntor 2019, në xhaminë e Parrucës)