Lidhjet farefisnore, derë e hapur e begatisë në jetë!

Ajetet dhe hadithet që na nxisin drejt ruajtjes së lidhjeve farefisnore janë të shumta. Vlen të përmendet fakti se, pas nxitjes drejt adhurimit të Një Zoti të vetëm dhe mos bërjes shirk Atij, All-llahu i Madhëruar, e ka pasuar këtë urdhëresë me respektin ndaj prindit dhe ruajtjen e lidhjeve farefisnore!

Madje, i Dërguari i All-llahut, Hz. Muhammedi (a.s.) e thotë prerazi: “Nuk do të hyjë në xhennet ai që këput lidhjet farefisnore!”. Prandaj, ne si muslimanë e kemi për detyrë të ruajmë të paprekur familjen dhe farefisin; duke shtuar vizitat, bamirësitë, solidaritetin, gjendjen në raste nevojë, mbështetjen në situata të ndryshme, angazhimin për të ruajtur dashamirësinë dhe vullnetin për të mos lejuar që cytjet e shejtanit të ndërhyjnë për të prishur urat dhe lidhjet e forta të tabanit.

Prej urtësisë së Hz. Muhammedit (a.s.) është edhe porosia e tij se: “Kush dëshiron që t’i zgjerohet rizku dhe t’i shtohet jeta, le të ruajë lidhjet farefisnore!”.

Subhanallah, Zoti i gjithësisë, teksa sheh në zemrat tona vullnetin e mirë për të ruajtur dashamirësinë dhe lidhjet e shëndosha farefisnore, na e begaton rizkun dhe jetën e paracaktuar!

Që do të thotë se, në harmoni familjare e farefisnore, edhe pasuria, sado që të jetë, na ka begati; edhe jeta, sado e shkurtër që të jetë, është jetë e gjatë e jetuar në qetësi e prehje, në harmonin e solidaritet me njerëzit e dashur të zemrës!

(Nga dersi i të hënës, më 25 nëntor 2019,
pas namazit të akshamit, në xhaminë e fshatit Kullaj)