Me zotni Muhamet Bilalin, 87 vjeçari i sapokthyer nga Umreja

Sonte patëm kënaqësi të dëgjojmë emocionet e prof. Muhamet Bilalit, 87 vjeçar, i cili sapo është kthyer nga Umreja e jetës së tij.

Subhanallah, çdokush që ka shkelur në atë tokë të begatë, është e pamundur të mos kthehet i mbushur me mirësi dhe i plotësuar emocionalisht, nga vizita e vendeve më të mira për muslimanët e mbarë botës!

Po ndiqja me vëmendje fjalët e zotni Metushit (kështu e njohim, z. Muhamet Bilalin), xhematliut të hershëm e besnik të xhamisë së Tophanës. Ndoshta, asnjëherë më parë s’e kisha ndjekur me aq vëmendje, ndonëse përherë ka rrezatuar mirësi dhe respekt!

Sonte, fjalët e tij kishin më dritë malli e më ngrohtësi kujtimesh të freskëta, ishin të mbushura me emocione, që lidhen me terma të përveçëm në ligjërimin e tij, si: tavaf, Qabe, Hz. Haxhere, Safa, Merva, sa’ji, zemzem, Medine, Resulull-llah (a.s.), vëllazëri islame, xhuma, Hendek, Uhud, Xhamia e dy kibleve, etj.

Sonte, 87 vjeçari i sapokthyer nga Qabja, teksa fliste, dhe me sytë që i shndrisnin, tha edhe dy fjalë, me të cilat e mbylli bashkëbisedimin e tij me ne: “Këtë herë kam shku me forcat e mia. Më kanë thanë djemtë, po t’u mbush mendja, radhën tjetër të çojmë ne..!”.., dhe vuri buzën në gaz, si ai që mezi pret të vijë radha tjetër…

(Nga mexhlisi i akshamit, më 28 nëntor 2019,
në xhaminë e Tophanës)