Më i miri i ymetit islam…

Hadithi: “Më i miri i ymetit tim është Ebu Bekri dhe Omeri”, në vetvete është hadithi i mirënjohjes në jetë. Ai është hadithi i vlerësimit dhe nderimit të më të spikaturve për vlerat dhe kontributet e tyre!

Është një nxitje që na bën i Dërguari i All-llahut (a.s.) që të vlerësojmë kolegët tanë, shokët e mirë, familjarët, deri tek fëmijët, tek të cilët jemi të ftuar të gjejmë vlerat e fshehura, talentin dhe prirjet në jetë!

Ky është një hadith i mrekullueshëm që na mëson se, në jetën e tij, njeriu duhet të ketë momente reflektimi dhe llogaritjeje, në të cilët vlerëson miqtë e mirë, shokët e afërt, familjarët e shtrenjtë, pa të cilët, jeta e tij do ishte shumë e varfër.

Prandaj, teksa lexojmë këtë hadith të shkurtër në përbërje, por shumë të gjatë në hapësirat e mirësive dhe vlerave që përcjell, kuptojmë madhështinë e fesë dhe edukatorit të saj, që përherë na merr për dore drejt korrektësisë dhe mirënjohjes ndaj njerëzve të rëndësishëm të jetës sonë!

Pastaj, duke u kthyer tek hadithi në fjalë, nuk ka dyshim se, më i miri dhe më i spikaturi për besimin, përkushtimin, dashurinë dhe sakrificën e tij, është Hz. Ebu Bekri (r.a.).

Ai ishte burri i parë që pranoi Islamin. Sikurse ishte i vetmi, që nuk kishte asnjë dilemë në atë drejt së cilës u ftua nga i Dërguari i All-llahut (a.s.).

Quhet Abdull-llah ibn Osman (Ebu Kuhafe) ibn Amir. Takohet me Resulull-llahun (a.s.) tek gjyshi i tij i shtatë, Murreh bin Ka’b. Para Islamit quhej Abdul-Kabeh, ndërsa Resulull-llahu (a.s.) e quajti Abdull-llah dhe kështu u njoh: Abdull-llah ibn Ebi Kuhafe.

Dhe, siç na mësojnë më të diturit tanë: [Akideja (besimi) e jonë (Ehlis-Sunneh Vel-Xhemaah), është se, më i miri i sahabëve është Hz. Ebu Bekri (r.a.), pastaj Hz. Omeri (r.a.). Dhe ky është konsensusi (ixhmaja) i Ehlis-Sunnetit. Imam Neveviu thotë: ‘Më i miri i tyre (i sahabëve) në mënyrë absolute, është Ebu Bekri, pastaj Omeri, All-llahu qoftë i kënaqur me të dy. Ky është konsensus i Ehlis-Sunnetit’], sikurse lexojmë edhe në veprat e dijetarit të shquar bashkëkohor, Shejkh Ibrahim En-Ni’meh.

(Nga dersi i sabahut, më 2 dhjetor 2019, në xhaminë e Parrucës)