“Nuk i mbaj mend prindët e mi, veçse fetarë…”

Më ka tërhequr vëmendjen një fjali e Nanës tonë, Hz. Aishes (r.a.), në krye të një rrëfimi të gjatë mbi emigrimin e parë të parealizuar të babait të saj, Hz. Ebu Bekrit (r.a.) drejt Habeshesë… Është një fjali, që në pamje të parë nuk ka lidhje me thelbin e ngjarjes, ose edhe mund të konsiderohet si boshti i saj, porse mesazhi që përcjell për ne, sidomos për prindët e rinj, është jashtëzakonisht me rëndësi.

Thotë, siç e transmeton edhe Imam Bukhariu: “Nuk i mbaj mend prindët e mi, veçse fetarë…”.

Është shumë e rëndësishme që fëmija të shohë tek prindi i tij modele të mira, që e ndërtojnë me virtyte e mirësi personalitetin e tij.

Të shohë besimin, ndershmërinë, korrektësinë me kohën dhe oraret, sinqeritetin, përkushtimin në jetë, dashurinë për All-llahun dhe të dërguarin e Tij, lidhjen me Kur’anin Famëlartë, etj.

Kjo, në mënyrë që edhe kur të mos jenë më në këtë jetë, fëmija i tyre të dëshmojë për ta, duke dëshmuar njëkohësisht formimin e tij mbi baza të shëndosha të edukimit me cilësitë më të mira në jetë.

Është bukur, kur fëmija thotë: “Nuk e di se baba, a nana ime kanë gënjyer ndonjëherë, që të gënjej unë sot!?”, e kështu mendo për ndershmërinë, bujarinë, pastërtinë, zemrën e madhe, leximin e vazhdueshëm të Kur’anit, kërkimin e dijes, respektin ndaj mirësive të All-llahut në jetë, durimin, dinjitetin, krenarinë legjitime, ndihmën ndaj skamnorëve, ruajtjen dhe respektimin e lidhjeve farefisnore, kujdesin për të jetuar me hallall, distancimin nga haramet, etj.

(Nga dersi i hadithit, pas namazit të sahabut, më 10 dhjetor 2019, në xhaminë e Parrucës)