Në gjurmët e dritshme të Hz. Omerit (r.a.)…

Është e mrekullueshme dëshmia e Resulull-llahut (a.s.) për Hz. Omerin (r.a.): “Eh, o i biri i Hattabit, pasha Atë që e ka shpirtin tim në dorën e Tij, çdoherë që shejtani të sheh në një shteg, devijon rrugë në një shteg, larg shtegut tënd!”.

Jam ndalur shpesh tek ky hadith. Është një ftesë për të menduar e reflektuar se çfarë është kjo gjendje dhe ky besim, që e bën individin musliman të mbërrijë në këtë gradë të lartë, saqë edhe shejtani të distancohet prej tij?

Nga ana tjetër, imagjino një shoqëri, individët e së cilës prodhojnë vlera e rrezatojnë besim e mirësi, aq sa edhe shejtani të largohet prej tyre! Është shoqëri e vlerave dhe bekimeve hyjnore; shoqëri, individët e së cilës janë përherë garanci për ruajtjen e paqes, sigurisë, mirëqenies dhe përparimit, drejt të cilëve fton Kur’ani e, për të cilët punoi e sakrifikoi Resulull-llahu (a.s.)!

Me fjalë të tjera, kur besimtari e lidh zemrën e tij me All-llahun e Madhëruar është i vendosur në fenë e tij, i qëndrueshëm në besimin e tij; me dinjitet e krenari e dëshmon fenë e tij, edhe shejtani devijon rrugën, në të cilën ai lëviz!

Një besimtar i tillë, prej të cilit largohet edhe shejtani, është si një antivirus në shoqërinë e tij, kundër padrejtësisë, korrupsionit e ligësive, kundër imoralitetit e shthurrjes!

Kur Resulull-llahu (a.s.) e përgëzon Hz. Omerin (r.a.) me këtë dëshmi të madhe, njëkohësisht po i thotë çdo muslimani që të jetë njeriu model në shoqërinë e tij, deri në atë gradë sa edhe shejtani të largohet prej tij. Mirëpo, njeriu nuk e arrin këtë gradë besimi, pa e shikuar mirë marrëdhënien që ka me All-llahun e Madhëruar! Një person që do të ecë në këtë rrugë është një individ që nuk e lë pas dore dhikrin e Zotit të vet, që e mbikqyr Atë në çdo moment të jetës, sidomos kur veçohet prej njerëzve!

(Nga dersi i sabahut, më 16 dhjetor 2019, në xhaminë e Parrucës)