Pyete veten: Kur ka qenë hera e fundit që ke bërë hatme Kur’anin?

Ndër mirësitë e mëdha, me të cilat Zoti i gjithësisë ka begatuar njeriun, është pa dyshim edhe shpallja hyjnore, nëpërmjet të cilës Krijuesi e ka udhëzuar njeriun, në mënyrë që të mos ndjehet i vetmuar në jetën e tij.

Kur’ani Famëlartë është shpallja e fundit hyjnore, me të cilën janë vulosur krejt udhëzimet e mëparshme hyjnore. Ajeti kur’anor që dëshmon për mbrojtjen që Vetë Zoti i gjithësisë i bën Kur’anit Famëlartë, është në vetvete një garanci për racën njerëzore, si dhe dhe dëshmi se krejt mesazhet thelbësore të Librave të shenjtë janë ruajtur në përmbajtjen e Kur’anit.

Ndër adhurimet më të mira dhe garantuese të afrimit të njeriut me Zotin e tij, është pa dyshim edhe leximi me meditim i Fjalës së All-llahut (xh.sh.). Për këtë, Resulull-llahu (a.s.) thotë: “Njerëzit e Kur’anit (pra, të angazhuarit me të; me lexim, kuptim e praktikim të mesazheve të tij në jetë), janë njerëzit më të dashur e më të veçantë tek All-llahu!”.

Por, teksa e lexon këtë hadith muslimani, a e ndjen për detyrë të afrohet, a të largohet me Librin e Zotit të tij? Resulull-llahu (a.s.), kur u pyet për veprën më të dashur tek All-llahu i Madhëruar, nxiti drejt hatmes së Kur’anit: “… të nisë nga fillimi i Kur’anit deri në fund të tij, sa herë që e përfundon, e nisë sërish nga fillimi!”.

Pyete veten: Kur ka qenë hera e fundit që ke bërë hatme Kur’anin? Kur ka qenë hera e fundit që kemi bërë hatme me xhematë në xhaminë tonë? Po në krejt xhamitë e Shkodrës? A nuk na mëson dhe udhëzon Resulull-llahu (a.s.) drejt mexhliseve me xhematë të hatmes sherife; leximit, mësimit, shpjegimit dhe kuptimit të Kur’anit?

(Nga dersi i akshamit, më 19 dhjetor 2019, në xhaminë e Tophanës)