“Si namazli!”…

Hadithi: “E mëshiroftë All-llahu vëllaun tim Abdull-llah ibn Revaha, ku ta zinte namazi, ndalej”, përmban në vetvete disa mësime me dobi për jetën e muslimanit dhe marrëdhënien e tij me të tjerët dhe me Zotin.

Fillimisht, duaja për mirë: “E mëshiroftë All-llahu…”! Kur themi: “E mëshiroftë All-llahu” për dikë, jo detyrimisht po lutemi për një të vdekur, edhe pse, në të folurën e përditshme ne i çojmë rahmet të afërmve, miqve e të njohurve tanë, që kanë kaluar nga kjo botë, por kjo nuk e ndalon këtë duá të mrekullueshme edhe për të gjallët, përkundrazi!

Pra, ky hadith na mëson ta mbajmë gjuhën të pastër, të përmendim sa më shumë bekime dhe urime, jo sharje e mallkime! Le ta urojmë tjetrin: “Bëfsh hajr!”, “All-llahu të nderoftë!”, “All-llahu ta shpërbleftë!”, “E marrtë malli xhennetin për ty!”, “Të pafsha në Qabe!”, “All-llahu të dashtë!”, e të ngjashme, që janë shprehje dhe urime shumë të bukura dhe të dashura për zemrën e tjetrit, por edhe pastrim e bekim për gjuhën e zemrën tonë!

Le të mësojmë fëmijët tanë me përdorimin e fjalëve të mira e të bukura, të atyre që kanë razillekun e All-llahut në thelbin e tyre. Le t’i mësojmë që të përdorin fjalët e mirënjohjes, falënderimit e bekimet edhe me bashkëmoshatarët e tyre. Pra, të shtojmë e të përhapim kudo përdorimin e emrit të Madhëruar të All-llahut (xh.sh.), duke edukuar gjuhët tona me respektin maksimal, dashurinë më të thellë dhe madhërimin më të pashoq për emrin e Zotit të gjithësisë!

E dyta, hadithi në fjalë na mëson të mendojmë mirë për të afërmin, mikun, shokun, kolegun e punës, bashkëpunëtorin e familjarin, duke vlerësuar tek ai, një a disa prej virtyteve a cilësive të tij, madje duke ia bërë edhe publike!

Në këtë mënyrë, Resulull-llahu (a.s.) na mëson dhe na edukon që të promovojmë në shoqërinë tonë islame vlerat më të mira dhe të reflektojmë shembujt më të spikatur nga edukimi me Kur’an dhe traditat e Pejgamberit (a.s.).

Nuk i thuhet kujtdo: “vlla”, mirëpo All-llahu i Madhëruar urdhëron në Kur’anin Famëlartë: “Me të vërtetë besimtarët janë vëllezër”! Por, a e ndjejmë ne këtë vëllazëri të shenjtë në jetën e përditshme? A jemi ne realisht vëllezër me njëri-tjetrin? A i shijojmë ne mirësitë, bekimet dhe sekretet e kësaj vëllazërie të shenjtë që përmend All-llahu i Madhëruar në Kur’an? A jemi ne egoistë, njerëz individualistë, apo jemi të shoqërueshëm, sidomos brenda mureve të xhamisë, pastaj edhe jashtë saj, duke shijuar madhështinë e kësaj thirrjeje kur’anore: “Me të vërtetë besimtarët janë vëllezër”?

Vëllau është gjë e madhe! Vëllau është si një mur i qëndrueshëm, ku mbështetesh dhe ndjen siguri! Një karrige me mbështetëse është më komode, apo një që nuk e ka mbështetësen e shpinës? Vëllau është mbështetje dhe krah i djathtë në jetë!

E treta, namazi! Dmth, ky hadith hyn në grupin e madh të fjalëve të urta të Resulull-llahut tonë, që nxisin gjithësecilin prej nesh për vlerësimin maksimal ndaj asaj që konsiderohet si shtylla kryesore e fesë: namazi!

Nëpërmjet korrektësisë ndaj namazit, njeriu edukohet me korrektësinë ndaj All-llahut të Madhëruar dhe urdhërave të Tij në jetë.

Dijetarët tanë të shkuar, rahmet paçin, na kanë mësuar se, nëpërmjet korrektësisë ndaj namazit, muslimani mëson korrektësinë ndan kohës! Prandaj i themi një njeriu korrekt me oraret: “Si namazli”! Mirëpo, a janë namazlitë e sotëm korrektë me kohën dhe oraret e tyre?…

(Nga dersi i sabahut, më 30 dhjetor 2019, në xhaminë e Parrucës)