Nuk mjafton vetëm ta përhapim të mirën, duhet edhe ta ruajmë atë..!

Hadithi: “E mëshiroftë All-llahu fisin Himjer! Nga gjuhët e tyre del paqja, nga duart e tyre ushqimi, ata janë njerëz të besës dhe besimit”, ka një vlerë të madhe në nxitjen dhe përhapjen e cilësive më të spikatura të muslimanit, veçanërisht dhënien dhe përhapjen e selamit, si simbol i paqes dhe sigurisë në shoqëritë njerëzore.

Fillimisht, vlen të themi se distancat dhe largësitë gjeografike me vendin e origjinës së shpalljes së Kur’anit Famëlartë dhe pranisë së Resulull-llahut (a.s.), nuk luajnë asnjë rol në raportet që ka muslimani me fenë e tij dhe dëshmimin e saj në jetë!

Me fjalë të tjera, ju ftoj të mendojmë për pak: Imagjinoni se sa larg Resulull-llahut (a.s.) ishin, në distancë gjeografike, porse cilësitë dhe virtytet e tyre tërhoqën vëmendjen e të Dërguarit (a.s.) për t’u lutur për ta për mëshirë e begati! Këtu na duhet të kuptojmë se besimtari mund të jetë edhe me mijëra kilometra larg Mekës e Medines, por në thelb dhe me zemër është afër mesazhit dhe thirrjes së Zotit tënd; për këtë ai do të mëshirohet e do të begatohet në jetë!

Nëse Resulull-llahu (a.s.) u lut për fisin jemenit të Himjerit, për cilësitë e tyre; paqen, zemërgjerësinë, besën e besimin, është njësoj si të lutet edhe për ty si shqiptar, nëse je në këtë udhë dhe besnik i Thirrjes së vlerave të besimit e fesë!

Pra, gjithësecili prej nesh është i ftuar të pyes veten e tij se sa musliman i dëshmuar për cilësitë e Islamit është në realitet?

Të ndalemi pak tek Selami. Sot, ka mënyra të shumta të përhapjes së fjalës, sidomos në kohën e rrjeteve sociale. Sot, nëpërmjet një profili të caktuar në këto rrjete, ti ke mundësi të përhapësh paqen, fjalën e mirë, besimin, virtytet dhe të dëshmosh mirëpërdorimin e tyre në rrugën e ndërtimit të së mirës!

Mirëpo ka njerëz, që i shfrytëzojnë këto rrjete edhe për të kundërtën, duke përhapur një frymë aspak të mirë për ta dhe shoqërinë, sidomos kur kjo frymë e keqe lidhet me nxitjen e urrejtjes ndërfetare!

Ata që i bien lodrave të kësaj zhurme, duhet t’i bëjnë mirë llogaritë se do të pendohen për këtë, aq më tepër kur shajnë e fyejnë muslimanët, sepse po luajnë me çfarë nuk duhet luajtur e po prekin, ku nuk duhet prekur!

Ata që nxisin urrejtje ndërfetare nëpërmjet rrjeteve sociale, (edhe nëpërmjet profileve fallco, lehtësisht të zbulueshme), që përhapin një frymë dekadente në realitetet tona, ata nuk janë qytetarë të mirë e të denjë për qytete vlerash!

Ne lutemi që All-llahu i Madhëruar t’i udhëzojë!

Ata që përhapin të keqen, duke na shitur histori, ta marrin mbrapsht propagandën e tyre, aq më tepër kur prek në besimin dhe fenë e tjetrit!

Ne në Islam jemi tek pragu i përhapjes së të mirës, por kjo nuk do të thotë se do të heshtim, kur përhapet e keqja në shoqëri! Jo, i dalim përballë asaj dhe dijmë ta ndalim në mënyrën më të mirë dhe më më të drejtë të mundshme!

Nuk mjafton vetëm ta përhapim të mirën, duhet edhe ta ruajmë atë, duke e kultivuar tek rinia dhe fëmijët tanë dhe duke ndaluar në mënyrën më të drejtë, krejt ata që përpiqen kundër saj, kushdo qofshin dhe me çfarëdo petku që të jenë veshur!

Mos të kenë frikë njerëzit nga Paqja! Mos të kenë frikë nga Islami! Mos të frikësohet shoqëria shqiptare, kur përmendet historia jonë e lavdishme islame! Ata që nxisin sot, osmanofobinë, ta marrin mbrapsht, sepse historia e jonë është histori e dritës dhe paqes!

Resulull-llahu (a.s.) na ka porositur se: “Më e mira mënyrë e shfaqjes së Islamit është të ushqesh nevojtarin dhe t’i japësh selam atij që njeh dhe atij që nuk e njeh”. Pra, të përhapësh paqe në shoqëri.

Ai që të jep selam e ka fytyrën e qeshur dhe të dhuron siguri e paqe, prandaj mos ta lëmë pas dore selamin, por ta përhapim me sa të kemi mundësi!

Selami është përshëndetja e banorëve të xhenetit, e melekëve, e njeriut të parë! All-llahu i Madhëruar e mësoi Hz. Ademin (a.s.) se përshëndetja e tij dhe e fëmijëve të tij, pra racës njerëzore, është Selami!

Ku ka besimtarë, ka besë! Ku ka besimtarë, ka pastërti!

(Nga dersi i sabahut, më 6 janar 2019, në xhaminë e Parrucës)