A e ke jetuar jetën tënde me fytyrë të bardhë..?

Një njeri që punon për xhennetin e Zotit të tij, është një njeri i disiplinuar me Zotin e tij! Është njeri i rregullt në marrëdhënie me urdhëresat dhe ndalesat e All-llahut të Madhëruar! Është njeri korrekt me jetën, korrekt me tjetrin, korrekt në familje, korrekt në shoqëri, korrekt në punën e tij, njeri prej të cilit nuk del vetëm se e mira!

Njeri i pastër, njeri i ndershëm, njeri i komunikueshëm me të tjerët, njeri bamirës, njeri solidar me ata që kanë nevojë! Pra, cilësitë më të mira që mund të ekzistojnë në këtë botë, janë cilësitë e atyre personave, të cilët në ditën e gjykimit do të meritojnë shpërblimet e mëdha nga Zoti i gjithësisë!

E, nëse ne kërkojmë, lexojmë e hulumtojmë për këto cilësi, do t’i gjejmë në Kur’anin Famëlartë, që udhëzon drejt më të mirës! Dhe i cili, në një hark kohor prej 23 vitesh, ndryshoi rrjedhën e një populli të shthurrur e të devijuar dhe i bëri të ishin: “populli më i mirë i krejt njerëzve”! Më i miri popull i historisë së njerëzimit!

Nga këtu, pyetja që duhet t’i drejtojmë vetes sot, edhe ne shqiptarët që e kemi përqafuar Islamin, është: Po të bëjmë një krahasim në mesin e 23 viteve të transformimit të arabëve dhe, viteve e dekadave të marrëdhënies tonë me Islamin, a jemi ne në fakt korrekt me Islamin tonë?

A e kemi perceptuar dhe kuptuar si duhet këtë Islam, për të na nxjerrë nga errësira në dritë? A e kemi përvetësuar ne këtë Islam për të jetuar si njerëz, që e duan All-llahun në çdo vepër prej veprave të tyre?

Apo kemi marrë dhe vazhdojmë të marrim nga Islami ynë vetëm pamjen e jashtme? Dhe, a vlen pamja e jashtme e fesë në jetën e përditshme, për të garantuar mirësinë dhe paqen e zemrës dhe të shpirtit, pastaj me të tjerët?! Këto janë pyetje që duhet t’ia drejtojmë vetes, herë pas here!

Përpara se të jemi prej banorëve të xhennetit në jetën e përtejme, duhet të punojmë që gjithësecili prej nesh të bëhet element sigurie dhe garant për ta kthyer tokën e tij dhe vendin e tij në xhennet, ku nuk ka krim, ku nuk ka vrasje, ku nuk ka përgojime, ku nuk ka gjynahe, ku nuk ka thashetheme, ku nuk ka pandershmëri, ku nuk ka korrupsion, ku nuk ka çfarë All-llahu i Madhëruar nuk e don atë dhe, të cilën Pejgamberi (a.s.) e ka ndaluar!

Në suren El-Kijame, urdhëron e thotë: “Atë ditë, ca fytyra do të shndrijnë, teksa vështrojnë Zotin e tyre!”. Dhe, pyetja që duhet t’i bëjmë vetes është: Nëse All-llahu i Madhëruar të mundëson ta shohësh Atë në ditën e gjykimit, a e ke merituar këtë mirësi, duke punuar fillimisht në këtë botë, në atë mënyrë që të bën të jesh njeri me fytyrë të bardhë? A e ke jetuar jetën tënde me fytyrë të bardhë, që të vish në ditën e gjykimit me fytyrë të bardhë?

Kjo është sfida, teksa nxisim njëri-tjetrin të distancohemi nga e keqja e t’ia mbyllim asaj derën, teksa i hapim njëkohësisht derën të mirës dhe asaj që vjen nga Zoti i gjithësisë!

(Nga hytbeja e xhumasë në xhaminë e fshatit Ganjollë, më 21 shkurt 2020)