
Nga ajeti 32 i sures El-Maide: “… kush mbyt një njeri (pa të drejtë), pa pasë mbytur ai ndonjë tjetër dhe pa pasë bërë ai ndonjë shkatërrim në tokë, atëherë (krimi i tij) është si t’i kishte mbytur gjithë njerëzit. E kush e ngjall (bëhet shkak që ai të jetë gjallë) është si t’i kishte ngjallur (shpëtuar) të gjithë njerëzit…”.
Ibn Kethiri*, duke komentuar ajetin 32 të sures El-Maide, sjell edhe një transmetim të sahabiut Ebu Hurejra (r.a), i cili tregon për dialogun e tij me të parin e muslimanëve, Hz. Osmanin (r.a), ditën kur e vranë në shtëpinë e tij teksa lexonte Kuran: “Hyra tek Osmani, ditën ngjarjes dhe i thashë: Kam ardhur të të përkrah, o prijës i besimtarëve!
Tha: O Ebu Hurejra, a të gëzon ty të vrasësh krejt njerëzit, edhe mua me ta?
Thashë: Jo!
Tha: Nëse ti vret një person të vetëm, është sikur të kesh vrarë mbarë njerëzimin. Largohu, me lejen time, i shpërblyer, jo i ndëshkuar!
Thotë (Ebu Hurejra): U largova dhe nuk luftova!”.
Ibn Abbasi (r.a), në komentimin e pjesës: “është si t’i kishte mbytur gjithë njerëzit”, thotë: “Ai që vret një njeri të vetëm, që Allahu e ka bërë haram, është si të kishte vrarë mbarë njerëzimin!”.
Said ibn Xhubejri thoshte: “Ai që ia lejon vetes gjakun e një muslimani, është si t’ia kishte lejuar vetes gjakun e mbarë njerëzimit. Ndërsa ai që ia ndalon vetes gjakun e një muslimani, është si t’ia kishte ndaluar vetes gjakun e mbarë njerëzimit!”.
Thotë Ibn Xhurjexh: Ka thënë Muxhahidi: “(Rreth pjesës së ajetit:) ‘E kush e ngjall (bëhet shkak që ai të jetë gjallë) është si t’i kishte ngjallur (shpëtuar) të gjithë njerëzit’, dmth: Ai që nuk vret njeri, njerëzit kanë shpëtuar prej tij!”.
………………………………….
El-Misbahul-Munir fi tehdhibi tefsiri Ibn Kethir, nën kujdesin e Shejkh Safijurrahman Elmubarekfuri, Kuvajt, pa vit botimi, f. 372.
* Imam Ismail ibn Omer ibn Kethir (v. 774 h.).
………………………………….
Me përshtatje nga arabishtja: Muhamed Bardhyl Sytari
Shkodër, 9 dhjetor 2020