Kujtime Haxhi (45)

"Mos më daltë shpirti pa shku edhe nji herë!"...

“Mos më daltë shpirti pa shku edhe nji herë!”…

Kjo ishte fjalia më e bukur e kësaj dite, që u zbukurua pa asnjë dyshim nga takimi me dy vëllezër të dashur, të sapokthyer nga vendet e shenjta.

Me siguri, Ramazani i sivjetshëm do të mbetet gjatë në kujtesën e tyre. Umreja e tyre në këtë Ramazan që sapo përcollëm, përtej përshkrimeve emocionale, do të mbetet gjurmë e pashlyer në kujtesën e tyre. (Zatën, nuk ndodh përherë ta shohësh veten në më të mirin e vendeve të globit, i ftuar nga Krijuesi i tanësisë, në Shtëpinë e Tij…)

Vetëm një fjali e shkurtër e njërit prej vëllezërve mjaftoi për të ndezur shkëndijat e mallit për një vend dhe një klimë, ku herë pas here kemi nevojë të kthehemi, tamam, si gurbetçari, që digjet nga malli për vendlindjen e tij.., që jeton në heshtje me dashninë e papërshkruar për tokën dhe ajrin, ujin dhe flladet e vendlindjes…

I ngjan një vendi, ku izolohemi nga bota, (jo për t’ia kthyer shpinën sfidave të jetës, as botës dhe zhurmës së saj!), në kërkim të një fije drite, që shpesh e prekim e shpesh na zbehet, për shkak të hutimit tonë ndaj hakut të saj.., një fije drite, që mban të lidhur një ymmet të tërë tash 15 shekuj, pas një Udhëzimi të fortë dhe një Mrekullie të prekur e të jetur ditë pas dite, herë në heshtje e herë me zë, herë me vetëdije e herë pa të.., një fije drite që rrezaton më pastër se kudo në atë vend të përzgjedhur, si burim i pashterrshëm për botën e njeriut, për Udhëzimin dhe Dritën e tij në jetën tonë!

“Mos më daltë shpirti pa shku edhe nji herë!”… Ky është sekreti i reaksionit që shkakton në shpirt kjo Vizitë, që as ai që e shpreh nuk është në gjendje ta dëshifrojë; thjeshtë gjen fjalinë më të përshtatshme për të thënë përtej fjalëve: “Netët e visalit, ah sikur të shiteshin; me shpirt do i blija, por, as nuk shiten, as nuk blihen..!”, a diçka ngjashëm me këtë shprehje të lashtë adhuruesish të Zotit të vendeve dhe Krijuesit të shpirtit me sirret e tij…

Sonte, më thirri tavafi, në sytë e miqve të mi, që rrezatonin dritë lutjesh, frymë Qabeje, butësi nga fryma e paqtë e Medines së Ndriçuar…

Sonte, malli dhe kujtimet, takimi me sytë e miqve të mi të sapokthyer nga Qabja, salavati me frymën peng në prag të Babu-Selamit, por jo vetëm, i dhanë kuptime kësaj nate, këtij muaji, kësaj pritje pa frymë, mbështetur mbi cakun e horizonteve, që kanë nisur të zbukurohen për haxhilerët e këtij viti…

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 3 korrik 2017