
Nevoja e kthimit të edukatës fetare në shkollat tona!
Në gushtin e 2013, nëpërmjet tribunës së Fitër Bajramit, në sheshin e Fushë-Çelës, risolla në vëmendjen e besimtarëve atë kërkesë të vonuar e mëse logjike për rikthimin e lëndës së edukatës fetare në kurrikulat e arsimit tek ne.
Ndonëse kanë kaluar vite dhe kemi dëgjuar edhe premtimin e kryeministrit, që kurrë nuk u ndoq seriozisht e për pasojë edhe ngeli një ligjërim politik jetim, në një përshëndetje në sallën e Pallatit të Kongreseve, akoma ajo thirrje vazhdon të jetë përherë e më e domosdoshme, në realitetet e dhimbshme ku është katandisur shoqëria shqiptare.
“Prandaj unë i bëj thirrje edhe drejtuesve të komuniteteve të tjera fetare në Shkodër dhe jashtë saj, të bashkohemi në rrugën e kërkimit të drejtës së edukatës fetare në shkollat tona, edhe si një model i suksesshëm evropian (meqë flitet kaq shumë për integrimin evropian), që fëmijët tanë të mos rriten ateistë a laramanë, që fëmijët tanë të mos edukohen me moralin e sharjes, vjedhjes, mashtrimit, degradimit moral, fëlliqësisë e imoralitetit!
Që fëmijët tanë ta mallkojnë shejtanin, armikun më të madh e më të urryer të njerëzimit, prej të cilit marrin frymëzim krejt këto realitete të papranueshme prej nesh, besimtarëve në Një ZOT!
Po lexoja me vëmendje mesazhin e urimit që Papa i ri i dërgon botës islame me rastin e Fitër Bajramit të sivjetshëm. Ndër të tjera thotë se: “Tema që dua të ndaj me ju këtë vit është: Forcimi i respektit të ndërsjellët nëpërmjet edukimit”.
Po, edhe ne jemi të vetëdijshëm se muslimanë dhe të krishterë, duhet të punojmë më shumë bashkarisht në këtë drejtim, si fetarë të mirë e atdhetarë të mirë, jashtë ndikimeve dhe influencave jobesimtare, për të kërkuar lartësimin kombëtar nëpërmjet rrugëve të fesë dhe besimit.
Se një komb, ku nuk ka besim dhe fé, ku nuk ka mirëkuptim dhe harmoni në mes bijve të tij, ku feja nuk luan rolin e edukatorit dhe mbrojtësit të vlerave të harmonisë dhe respektit të ndërsjellët, ku fetarët e mirë nuk bashkëpunojnë për të ardhmen e fëmijëve dhe rinisë së tyre, është një komb i dobët, që shkon verbërisht drejt dekadencës.
E, ne shqiptarët nuk jemi komb i dobët dhe nuk duhet të pranojmë rrugëtimin e verbër drejt dekadencës së atyre që kanë lidhur besën me shejtanin!”
(Nga fjala e mbajtur në dersin e Fitër Bajramit, me 8 gusht 2013. Ndërkohë, të nesërmen, më 9 gusht 2013, ky mesazh i përmbledhur, u botua edhe në gazetën Panorama)
Sa më larg fesë, dritës së udhëzimit dhe asaj që Zoti i gjithësisë ka përzgjedhur për ne, aq më tepër do vazhdojë të lëngojë kjo botë nga paudhësia e njeriut pa bosht e pa dritë udhëzimi!
Kjo është historia!..
Imam Muhamed Bardhyl Sytari
Shkodër, 10 gusht 2021