Meditime (49)

Nga mikpritja dhe sakrifica e shkodranëve muslimanë..!

Nga mikpritja dhe sakrifica e shkodranëve muslimanë..!

Po të më kërkohej të bëj një listë me emrat e hoxhallarëve të shquar të Shkodrës, në gjysmën e parë të shekullit 20, patjetër që emri i tetovaliut, Hafiz Qamil Tresi (Abdyli), mund të renditet në mesin e talebeve të rrethit të fundit të këtyre hoxhallarëve, pas së cilit, kolera komuniste i ndërpreu aktivitetin me diktatin e dhunës dhe terrorit ateo-komunist!

Qamil Tresi, u lind në Tetovë, më 06.12.1922. Ishte i biri i Hafiz Abdylgafarrit dhe i Hamidijes. I ati i tij ishte Hafiz i Kuranit, siç e pohon edhe studiuesi Dr. Feti Mehdiu, në botimet zinxhir me titull: “Hafizët tanë gjatë historisë”, përmbledhur në një libër bibliografik.

Mësimet e para fetare, pas familjes, i mori në medresenë e Sarajevës, të cilën nuk e përfundoi dot për shkak të luftës. Ixhazetin e mori në Shkodër, në vitin 1952, nga H. Muhamed Bekteshi (1883-1958), një hoxhë dhe myderriz i shquar popullor në Shkodër, nga duart e të cilit dolën me dhjetra imamë e vaizë të periudhës së fundit, në prag të diktaturës.

(Nga duart e H. Muhamed Bekteshit është diplomuar edhe H. Sabri Koçi dhe shumë talebe të tjerë, që i kam renditur në monografinë me titull: “Hafiz Qamil Tresi- në gjurmët e një biblioteke, që sfidon heshtjen e kohës”, Shkodër, 2006, si dhe në botimin tjetër monografik, me titull: “Hafiz Musa Hoxha- vaizi besnik i qitabeve të vjetra”, Shkodër, 2009).

Farefisi i Hafiz Qamil Tresit (Abdyli), jetojnë edhe sot në Tetovë, (siç ma konfirmuan disa miq të mirë në Tetovë, para ca muajsh), edhe pse nuk i kam takuar ndonjëherë. Ndërsa familja e tij, jeton në Shkodër dhe në Tiranë.

Gjuha amtare e familjes së tij, ku ka lindur, ka qenë turqishtja. I biri, Taxhudini, teksa përgatitesha për botimin e monografisë, më ka shpjeguar, se: “Shpesh baba thoshte se ne jemi turqeli Tetove. Madje halla e jonë, që akoma rron në Tetovë, e flet shqipen me shumë vështirësi.”

Detaji, për të cilin iu riktheva sërish kujtimit të Hafiz Qamil Tresit, dhe që dua ta fokusoj me të madhe, është mikpritja dhe sakrifica e shkodranëve muslimanë, për ta mbrojtur të riun tetovar nga një tragjedi e madhe kombëtare…

Të afërmit e Hafizit në Shkodër tregojnë se bëhet fjalë për masakrën e Tivarit e vitit 1945, ku mesa duket edhe i riu Qamil Tresi (Abdyli) bënte pjesë në atë grup shqiptarësh, kryesisht nga trevat kosovare, që po dërgoheshin për t’u masakruar barbarisht nga ushtarët serbo-malazezë.

Për këtë ngjarje shkruhet se me 2 prill të vitit 1945, në Tivar, 3760 shqiptarë u vranë, u masakruan dhe u dogjën të gjallë nga xhelatët serbo-malazezë. (Për këtë tragjedi kombëtare ka shkruar edhe Azem Ajdini, “Masakra e Tivarit”, Sh.B. “Besa”, redaktoi Luan Xhafa, gusht 1998).

Ata pohojnë se ndërsa grupi po kalonte në Shkodër, djali i ri (Qamil Tresi) ishte futur tinëz në një dyqan për të pirë ujë dhe aty, i zoti, një tregtar shkodran i quajtur Shyqyri Behri, e kishte strehuar për disa ditë derisa jeta e tij nuk ishte më në rrezik.

Familjarët e Hafizit në Shkodër, vazhdojnë ta përmendin me shumë respekt emrin e tregtarit që u bë shkak për strehimin e të dashurit të tyre dhe shpëtimin e jetës së tij!

Hafiz Qamil Tresi ndërroi jetë në Shkodër, më 05.10.1988, pas 42 vitesh nga largimi i tij nga vendlindja e shtrenjtë, i dëshiruar për të parë, qoftë edhe një herë të vetme pjesëtarët e familjes së tij; nënën e përmalluar, babain e dashur, vëllezërit, motrat…

Allahu i Madhëruar e mëshiroftë hafizin tetovar, tregtarin shkodran që i shpëtoi jetën dhe e bëftë këtë shembull të përkryer të traditave dhe cilësive më fisnike islame ndër shqiptarë, udhërrëfim për brezat që vijnë…

Imam Muhamed Bardhyl Sytari
Shkodër, më 11 gusht 2021