Në Sa’ji, ku shqiptarët e Australisë bëjnë shenjë…

Tavafi përreth Qabes së Madhnueshme, mbetet një shkollë e madhe edukuese me vlera dhe dimensione të pallogaritura shpirtërore, përsa i përket marrëdhënies së njeriut me Zotin dhe muslimanit me muslimanin, si pjesë e shëndoshë e vëllazërisë më të shenjtë në jetë, asaj të besimit!

E kam konstatuar me kohë këtë fakt. Në vite të ndryshme, përmasat e gjallërimit të argumenteve të jetuara e momenteve të dëshmuara në vendet e shenjta, vetëm se e përforcojnë këtë bindje… M’u shtua edhe më shumë ky konvikcion (siç do të thoshte Hafiz Ali Kraja), gjatë adhurimeve të Umres së kësaj nate të madhe!

Do ndalem në disa dëshmi konkrete, që më frymëzuan sonte të rreshtoj këto fjalë.

– “O Zot, kjo Shtëpi është Shtëpia jote! Ky harem, është haremi jot! Ndërsa unë jam në pozitën e atij, që kërkon mbrojtjen Tënde nga gjynahet e bëra!”- lutej dikush, zëri i të cilit përhapej në hapësirat e Haremit të Shenjtë, si një dëshmi pendimi e dorëzimi para duarve të Krijuesit…

– “Selam alejkum vllezën, jemi shqiptarët e Australisë”- na u drejtua një burrë me fytyrë të qeshur, teksa po kryenim adhurimet në Safa e Merve… Shqiptarë, muslimanë, Australi… ishin një grup që bënte shenjë e, mbi të gjitha, prej atyre që “u këndon nuri”, që bëjnë shenjë nga larg…

– Një fëmijë i vogël, (më i vogël se im bir, Jasini), në krahët e prindve të tij, mori të luante me tesbihët që mbaja në dorë gjatë tavafit. I tërhiqte me butësi. Nisi të luante me to dhe më qeshte, teksa notat e dhikrit, që përcillnin gishtat e mi në prekjen e tyre, sikur i dëshmonin paqe e familjaritet, që buron nga përshpirtjet e tavafit, përtej gjuhëve dhe kombeve, përtej ngjyrave dhe pozitave sociale…

– Për një moment, në Sa’ji, në një nga segmentet mes dy kodrinave, vëmendjen ma tërhoqi shafqja e një grupi haxhilerësh nga një vend afrikan. Më emocionoi shumë pamja e tyre. M’u bë një zë nga thellësia e kujtesës së leximeve më tha: “Këta janë nipat e Hz. Bilal Habeshiut, vijnë në tokat e shenjta në hapat e Gjyshit të tyre..!”

– Organizim si ai i sirianëve, nuk ka. (Edhe pse, shumë shtete kanë organizime të mrekullueshme, në pamjen e jashtme dhe në thelb të saj). Duke nisur me dhikret me xhemat dhe duke përfunduar tek “uniformat” unike, të trajtuara me një kujdes të madh, deri në detajet më të imta. Më emocionoi sonte pamja e tyre, gjuha dhe fryma e xhematit. Thashë “Amin” me ta, kur i pari i grupit u lut me zë të për Sirinë dhe hallet e sirianëve, për të pastrehët dhe skamnorët, për të shkelurit e shehidët…

– “Ja All-llah… Ja All-llah…”- është padyshim thirrja më e sinqertë dhe më kumbuese, që del nga thellësitë e shpirtrave, me një tingull e melodi, që ia kalon krejt melodive të botës dhe tingujve të saj!.. Është thirrje që e dëgjon ngado në këtë tokë, në këto vende. Është më i madhi dhe më i shtrenjti emër, me përmendjen e të cilit hapen dyert e zemrave, që për Dritë besimi e shprese kanë përherë nevojë…

Imam Muhamed B. Sytari
Mekë, më 3 shtator 2016