“Mirë se ka ardhur, në vendin më të mirë ka ardhur!”

Transmetime të shumta në libra të ndryshëm të hadithit na hapin horizonte të reja mbi detajet e Israsë dhe Miraxhit, të cilat duhet të lexohen nga çdo musliman. Në thelbin e tyre ka mësime të mrekullueshme besimi, mesazhe, vizione, frymëzime, emocione…

Në shënimet e kësaj dite, dua të ndalem tek vepra e dijetarit të shquar sirian (nga qyteti i Halebit), Shejkh Abdull-llah Siraxhuddin, me titull: “Leksione rreth Israsë dhe Miraxhit”, botimi i parë, Damask, 2005. (Vepra ka 193 faqe në gjuhën arabe)

Në faqen 26 e në vijim, autori sjell një transmetim të Imam Bukhariut, që dua ta ndaj me ju, me qëllimin e mirë të përhapjes së këtyre detajeve të bukura dhe plot emocion të një pjese të rëndësishme të zhvillimeve të Miraxhit.

“Në një transmetim të Bukhariut, nga Hz. Ebu Dherri (r.a), thuhet kështu: “Kur u hap dera, u ngjitëm në qiellin e botës tonë, ku pashë një burrë të ulur; në të djathtë e në të majtë kishte disa forma shpirtrash. Kur sillte kokën djathtas, qeshte e, kur e sillte majtas, qante. Më tha: Mirë se erdhe, o profet i mirë, o djalë i mirë! E pyeta Xhibrilin: Kush është ky? Tha: Ademi (a.s). Ndërsa këto forma shpirtrash djathtas e majtas tij, janë shpirtrat e fëmijëve të tij; në të djathën e tij, banorët e xhennetit dhe në të majtën e tij, banorët e xhehnemit”

Natyrshëm, (thotë autori – shënim imi. M.S.-), prania e tyre aty është prezencë metaforike, sepse All-llahu i Madhëruar ka dëshmuar se shpirtrave të jobesimtarëve nuk do t’u hapen dyert e qiellit: “Nuk ka dyshim se ata që përgënjeshtruan argumente Tona dhe nga mendjemadhësia u larguan prej tyre, atyre nuk u hapen dyert e qiellit…” – Kur’ani, El-A’rafë: 40.

“Pastaj u ngjitëm derisa erdhëm në qiellin e dytë. Trokiti. Dikush tha: Kush është? Tha: Xhibrili jam. Pyeti: Kush është me ty? (Xhibrili) Tha: Muhammedi! Pyeti: A është dërguar? (Xhibrili) Tha: Po! Ia ktheu: Mirë se ka ardhur, në vendin më të mirë ka ardhur! Dhe, e hapi derën.

Kur kaluam, pashë Jahjanë dhe Isain, dy djem tezesh. (Xhibrili) Më tha: Këta janë Jahjai dhe Isai, jepu selam. U dhashë selam. Ma kthyen, pastaj thanë: Mirë se vjen, o vëlla i mirë, o profet i mirë!

Pastaj u ngjitëm në qiellin e tretë. Trokiti. Dikush tha: Kush është? Tha: Xhibrili jam. Pyeti: Kush është me ty? (Xhibrili) Tha: Muhammedi! Pyeti: A është dërguar? (Xhibrili) Tha: Po! Ia ktheu: Mirë se ka ardhur, në vendin më të mirë ka ardhur! Dhe, e hapi derën.

Kur kaluam, pashë Jusufin. (Xhibrili) Më tha: Ky është Jusufi, jepi selam. I dhashë selam. Ma ktheu, pastaj tha: Mirë se vjen, o vëlla i mirë, o profet i mirë!

Pastaj u ngjitëm në qiellin e katërt. Trokiti. Dikush tha: Kush është? Tha: Xhibrili jam. Pyeti: Kush është me ty? (Xhibrili) Tha: Muhammedi! Pyeti: A është dërguar? (Xhibrili) Tha: Po! Ia ktheu: Mirë se ka ardhur, në vendin më të mirë ka ardhur! Dhe, e hapi derën.

Kur kaluam, pashë Idrisin. (Xhibrili) Më tha: Ky është Idrisi, jepi selam. I dhashë selam. Ma ktheu, pastaj tha: Mirë se vjen, o vëlla i mirë, o profet i mirë!

Pastaj u ngjitëm në qiellin e pestë. Trokiti. Dikush tha: Kush është? Tha: Xhibrili jam. Pyeti: Kush është me ty? (Xhibrili) Tha: Muhammedi! Pyeti: A është dërguar? (Xhibrili) Tha: Po! Ia ktheu: Mirë se ka ardhur, në vendin më të mirë ka ardhur! Dhe, e hapi derën.

Kur kaluam, pashë Harunin. (Xhibrili) Më tha: Ky është Haruni, jepi selam. I dhashë selam. Ma ktheu, pastaj tha: Mirë se vjen, o vëlla i mirë, o profet i mirë!

Pastaj u ngjitëm në qiellin e gjashtë. Trokiti. Dikush tha: Kush është? Tha: Xhibrili jam. Pyeti: Kush është me ty? (Xhibrili) Tha: Muhammedi! Pyeti: A është dërguar? (Xhibrili) Tha: Po! Ia ktheu: Mirë se ka ardhur, në vendin më të mirë ka ardhur! Dhe, e hapi derën.

Kur kaluam, pashë Musain. (Xhibrili) Më tha: Ky është Musai, jepi selam. I dhashë selam. Ma ktheu, pastaj tha: Mirë se vjen, o vëlla i mirë, o profet i mirë!

Kur mora të largohem, ai nisi të qante. I thanë: Pse po qan? Tha: Po qaj, sepse një djalë i ri (pra, Hz. Muhammedi (a.s). -shënim imi. M.S.-) është dërguar pas meje, në xhennete do të hynë më shumë nga ymeti i tij sesa nga ymeti im!”

(Autori shpjegon – shënim imi. M.S.-), Qante nga gëzimi për këtë Profet të nderuar, paqja e All-llahut qoftë mbi të!

Pastaj u ngjitëm në qiellin e shtatë. Trokiti. Dikush tha: Kush është? Tha: Xhibrili jam. Pyeti: Kush është me ty? (Xhibrili) Tha: Muhammedi! Pyeti: A është dërguar? (Xhibrili) Tha: Po! Ia ktheu: Mirë se ka ardhur, në vendin më të mirë ka ardhur! Dhe, e hapi derën.

Kur kaluam, pashë Ibrahimin. (Xhibrili) Më tha: Ky është Ibrahimi, babi yt, jepi selam. I dhashë selam. Ma ktheu, pastaj tha: Mirë se vjen, o djalë i mirë, o profet i mirë!”

Ndërsa në transmetimin e Tirmidhiut, nga Hz. Abdull-llah ibn Mesudi (r.a): “Takova Ibrahimin natën e Israsë dhe më tha: O Muhammed, bëji selam ymetit tënd prej meje dhe lajmëroji se xhenneti e ka tokën e mirë, ujin e ëmbël, fushë e shtrirë, që mbillet me Subhanall-llah, me Elhamdu lil-lah, me La ilahe il-lall-llah dhe me All-llahu ekber!”

Dhe, autori vazhdon e shpjegon dhe analizon, sjell transmetime të tjera të shumta, që sqarojnë më së miri këtë mrekulli, duke na shuar kureshtjen e natyrshme, duke na mësuar e dritësuar, duke na shtuar emocione dhe mall për ma të dashtunin tonë, Hz. Muhammedin (a.s), të Përzgjedhurin e të Përzgjedhurve…

Përktheu nga arabishtja,

nga vepra e Shejkh Abdull-llah Siraxhuddin,

përshtati në shqip dhe shoqëroi me shënime:

Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 4 maj 2016