Sonte, dola të shëtis në rrugët e qytetit tim. Isha vetëm. Kishte kohë që ishte falur namazi i jacisë. Qyteti ishte mbuluar nga pelerina e natës së freskët të kësaj vjeshte, që sivjet duket se ka ardhur më herët se vitet e tjera, duke e strukur qytetin në strehëzat e tij të shumta, ku njerëzit përjetojnë ngrohtësinë pranë njëri-tjetrit…
Rrugët dukeshin të qeta, ndryshe nga dinamika e Medinës dhe Mekës para saj, ku nata dhe dita dallojnë vetëm nga prezenca e diellit dhe ajo e hënës. Aty-këtu ndonjë makinë me drita të gjata, a ndonjë tjetër me shpejtësi nate, thyenin monotoninë e kësaj nate vjeshte, ku edhe fëshfërima e gjetheve të thata nuk dëgjohet më trotuareve…
Shkodra është e veçantë nga krejt qytetet e botës. Është më e ngrohtë e më e dashur për zemrën se shumë e shumë qytete të tjera. Është e thjeshtë, familjare, e freskët si flladet e vjeshtës, e ngrohtë si mëngjeset e verës, e dritshme si ditët e pranverës, e bardhë si ditët e dimrit, kur dëbora mbulon me petkun e saj çdo gjë…
Shkodra është një dashni e madhe, që s’e zëvendëson dashni. Është frymë malli, që mban peng me kujtimet e saj edhe vetë frymën. Është prekje krenarie, që të bën të ndjehesh përherë i sigurtë e fisnik, saherë përmendet emri i saj, kudo që të jesh e me këdo që të jesh… Shkodra është Shkodër, unike, e pashembullt, e pakrahasueshme, e pakëmbyeshme, e patolerueshme, e pandryshueshme, vetmitare në përkatësinë që të dhuron, fisnikërisht dinjitare saherë e kujton, thjeshtë Shkodërloce..!
Qytetim im është ai, për të cilin kanë shkruar të urtët e dijetarët, shkrimtarët e poetët, të dashuruarit dhe të përmalluarit… Shkodra të mbush me përmendjen e emrit të saj, të frymëzon me agimet e paqta, me flladet e netëve me yje, me parfumin e pakrahasueshëm të pemëve të blinit, karajfilave e drandofilleve, zymbylit e zambakut.., po ku ka xhanëm si bahçet e shtëpive tona shkodrane në mbarë botën..!?
Sonte, qyteti im kishte mall, njësoj si unë për erën e Shkodrës, për zhurmën e hapave mbi tokën e saj, për kujtimet e shkuara e personazhet e dashura, pa praninë e të cilëve, jeta do të ishte e varfër, shumë e varfër… Sonte, edhe pemët e fjetura ishin strukur në melankolinë e stinës; dhuronin prehje e paqe në qetësinë e tyre tipike… Sonte, nata nuk fliste. Fshihte në veten e saj hapat e heshtur të zemrave në mall… Më vështronte dhe me një buzëqeshje të përmalluar sikur donte të fliste me mua, por… Donte me çdo kusht të më shoqëronte për të mos më lënë vetëm, edhe pse sonte, nuk doja shoqërinë e askujt në shëtitjen time, rrugëve të qytetit tim…
Është bekim i madh nga Zoti, të ecësh vetëm në çdo orë të natës e të ditës në rrugët e Shkodrës, pa u trembur nga trokitjet e natës, as nga hijet e ditës… Është bekim të ecësh vetëm, duke komunikuar me flladet dhe freskinë, me vjeshtën dhe brishtësinë e saj, me qiellin dhe tokën, me natën dhe me heshtjen, me zemrën e madhe të Shkodrës dhe bukurinë e natyrës së saj…
Sonte, ndjeva mallin e papërshkrueshëm të Hoxhës, teksa vite të shkuara larg Shkodrës, rreshtonte fjalët e tij të zemrës së djegur për pak aromë Shkodre: “Ej Shkodër e dashtun, ej Shkodër e bukur, qendra e burrave bujarë, fusha e prestigjit dhe moralit, lumë i dritës e i dijes, toka me aromë trëndafili e zambaku… S’po t’livdoj Shkodër, megjithëse je vendi që në të thitha ajrin dhe erën e jetës për herë të parë, o Shkodra ime, kur më priti toka jote e butë dhe dashamirëse, për herë të parë në djepin e prindëve, në parzin t’and, deri sa u rrita… U largova nga ti kaq vjet… Më ishe zemër para syve të mi… Ruajta gjuhën t’ande dhe, kur u ktheva te ti pas 55 vjetësh, më more ndryk deri m’u rehatu zemra…”
Sonte, fjalët e Hoxhës së Madh të Shkodrës m’u bënë fllad, që vjeshtës i dhanë shpirt nga butësia e tij e, fjalët e mallit u shkrinë me ajrin e freskët të kësaj nate, që m’u bë se më tha: “Mirë se erdhe në Shkodërlocen t’ande!”…
Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 21 shtator 2016