Por, i ati nuk e qortoi të birin, kur ai…

Po shfletoja lajmet dhe publikimet kryesore të ditës së sotme në rrjetet e ndryshme sociale. Më tërhoqi vëmendjen një shënim nga Dr. Selman El-Audeh në profilin e tij zyrtar në twitter.

Thirrësi islam i afirmuar saudit kishte përhapur në fakt shënimet e një mikut të tij, që shkruante, sa vijon: “E kishte veshur të birin me ngjyrën e gjelbërt, me rastin e festës kombëtare saudite. Edhe dy mollëzat ia kishte lyer me ngjyrë të gjelbërt. Në dorë mbante flamurin e gjelbërt…

Por, i ati nuk e qortoi të birin, kur ai hodhi në tokë kutinë e lëngut të frutave, që po pinte!?”

Këtu përfundon publikimi i shkurtër, që në realitet mbart në vetvete një mesazh të fortë, thellësisht islam dhe plot vlera qytetëruese, që ne muslimanët i kemi trashëguar ndër shekuj nga të parët tanë, të udhëzuar nga mësimet e Kur’anit dhe traditat e pashembullta të Hz. Muhammdit (a.s).

Me pak fjalë, ruajtja e ambientit, mbrojtja e mjedisit nga papastërtitë, përkujdesja ndaj natyrës dhe mirësive të Zotit, respekti ndaj vetë njeriut, si krijesa më e përsosur e Krijuesit, tek ne është fé!

Që do të thotë se, sa më shumë largohemi nga feja e jonë, morali dhe udhëzimet e saj, aq më shumë e kthejmë tokën tonë, ambientin, natyrën, individin e shoqërinë në një kosh të madh plehrash, që në fakt reflekton përshkallëzimin e moralit tonë fetar, human, social e kombëtar drejt dekadencave të frikshme të shpërbërjes…

Ndërkohë, Hz. Muhammedi (a.s), 15 shekuj më parë porosiste: “Ruajeni tokën, sepse ajo është nëna e juaj..!”

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 24 shtator 2016