“Biri im, po të lë amanet dy porosi…”

Po lexoj një libër mbi jetën dhe urtësitë e Lukmanit të urtë, të cilin e përmend edhe All-llahu i Madhëruar në Kur’an.

Urtësitë e tij janë shumëdimensionale, të vlefshme për çdo kohë, individ e grup shoqëror. Janë të veçanta nga urtësitë e shekujve të kaluar. Mbeten përherë pikë reflektimi dhe frymëzim për lexuesin.

Kam dëshirë të ndaj disa prej tyre me ju, sidomos ato, që ia drejton të birit, në bashkëbisedimet e ndryshme.

– Transmeton Ibn Abdilberr se, Lukmani i tha të birit: “Biri im, deri ku ke mbërritur me urtësinë tënde? Tha: Nuk e ngarkoj veten me çfarë nuk më intereson! Lukmani, vazhdoi: Biri im, ka edhe diçka tjetër: Ulu me dijetarët, qëndro pranë tyre në gjunj, sepse All-llahu i gjallëron zemrat e vdekura me urtësinë, siç e gjallëron tokën e vdekur me ujin e qiellit!”

– Poashtu transmetohet se, Lukmani i tha të birit: “Biri im, ndiq mexhliset e dijetarëve, dëgjo fjalët e të urtëve, sepse All-llahu e gjallëron zemrën e vdekur me dritën e urtësisë, siç e gjallëron tokën me ujin e shiut!

Dhe, ruaju nga gënjeshtra dhe sjellja e keqe, sepse kush gënjen, i ka ikur uji i fytyrës, ndërsa kush sillet keq, e mbulojnë hallet!

Të mbartësh shkëmbinjtë nga vendi i tyre, është më e lehtë sesa t’i mbushësh mendjen atij që nuk kupton!”

– Poashtu, i tha: “Biri im, kërko mbrojtjen e All-llahut nga njerëzit e këqinj dhe, ruaju nga të mirët e tyre!”

– Gjithashtu, i tha: “Biri im, po të lë amanet dy porosi, do jesh mirë po u kape pas tyre: Dirhemin tënd për jetën e kësaj bote, fenë tënde për të përjetshmen tënde!”

– I tha: “Biri im, qëndro larg armikut tënd, ruaju nga shoku yt dhe, mos e fut veten në ato punë që s’të interesojnë!”

Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip:
Muhamed B. Sytari

Shkodër, më 29 shtator 2016.