Ne kemi harruar të lutemi…

Sa e sa ankesa dëgjohen sa andej-këndej. Të gjithë ankohemi në një mënyrë a një tjetër. Të gjithë kanë hallet, shqetësimet, streset e problematikat, që ngacmojnë qetësinë dhe rehatinë e tyre. Herë zgjidhen, herë ngecin, herë zgjaten në kohë e herë prekin deri kufijtë e durimit…

Sa e sa prej nesh, ka që zgjohet në mëngjes dhe, pa hapur mirë sytë nxjerrë një ofshamë të thellë, që përkthen më së miri vuajtjen dhe lodhjen shpirtërore…

Sa e sa kalojnë rrugës me kokën ulur, hera-herës edhe duke folur me vete, dikush vështron sa djathtas-majtas, sepse realitetet-sprovë ia kanë thyer kurrizin…

Por, të gjithë ata që e ndjejnë veten të përfshirë në këtë vorbull të pakëndshme, duhet ta dijnë e të binden se, krejt hallet e kësaj bote, krejt sprovat e krejt makthet, e kanë një shërim: Lutjen para duarve të Atij, që ka në dorë gjithësinë!

Provojeni, është falas. Jua garantoj se, nuk ka si lutja në errësirë, larg njerëzve, larg komplekseve e ndrojtjes!

Provojeni dhe do të rezultojë, si fjala që përsërit shpesh Dr. Ratib Nabulsi: “E pamundur dhe njëmijë herë e pamundur! Të trokasësh në derën e Tij, të përgjëroshesh para Tij dhe t’i lutesh me sinqeritet, duke i kërkuar të mirat e kësaj bote dhe të përjetshmes dhe, të të zhgënjejë! E pamundur!”

Si jo, kur Ai Vetë na fton drejt lutjes, duke na thënë: “E kush tjetër i përgjigjet nevojtarit, kur ai e thërret, duke ia larguar të keqen e, juve ju bën mbizotërues të tokës?! A ka zot tjetër pos All-llahut? Jo, por ju shumë pak përkujtoni.” – (Kur’ani, En-Neml: 62)

Pasha All-llahun, nuk ka si ky ajet, mbushur me shpresë, optimizëm, qetësi e garanci nga Zoti i gjithësisë… Por, ne kemi harruar të lutemi…

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 4 tetor 2016