Kjo mbrëmje erdhi ndryshe prej të tjerave…

Kjo mbrëmje erdhi ndryshe prej të tjerave…

Kjo mbrëmje erdhi ndryshe prej të tjerave… Ezani turk, që mbuloi atmosferën përreth nesh, m’u bë se më mori për dore drejt rrugicave të Stambollit, që mbajnë era drandofille e prekje dashnie, që as bota nuk e zë…

Zëri melodioz e mistik, u përhap aq ëmbël sa, m’u bë se preka tokën e sulltanëve, cepat e xhamive shekullore, rrapet e heshtura e bujtinat e mysafirëve të lodhur nga udhëtimet e gjata, në kërkim të prehjes…

U përhap paqësisht mbi Shkodër, duke e bekuar me kujtimin e të Lavdishmit Mehmet Fatih, që si sot e 583 vite hënore më parë u kurorëzua si Sulltan i Hilafetit tonë, për të dytën herë. I Bekuari Sulltan i zemrave, i dashtun i besimtarëve, makth në ëndrrat e mosmirënjohësve shekullorë…

Nga xhamia e Medresesë së Shkodrës, kushtrimi i namazit të akshamit mblodhi disa safe me besimtarë, që në përshpirtjen e atij ezani u rreshtuan në qetësi duke pritur tekbirin e fillimit…

U shkrinë në atë atmosferë mistike dhe u bënë një; tingujt e përmallshëm të ezanit, ngjyrat e vjeshtës, trokitjet e çrregullta të shiut në dritaret e xhamisë, hapat e avashtë të më të moshuarve, gumëzhitja e paqtë e të rinjve, frymëmarrja e qetë në pritje të tekbirit, vetë tekbiri dhe rrahjet e zemrës në namaz…

Kjo mbrëmje erdhi ndryshe prej të tjerave… Isha ftuar të mbaj një këshillë fetare për medresistët tanë nga qytetet e tjera, që jetojnë në konviktin e Medresesë sonë.

U mbusha me një emocion të pashpjegueshëm, aty para tyre… M’u kujtuan vitet e gjata në Damask të Sirisë… (Sa do jepja të kthehesin ato vite, që më nuk kthehen…)

M’u kujtuan shokët, mësuesit, edukatorët, era e Damaskut, vjeshta e tij, dimri me dëborë, pranvera rrezatuese e vera e nxehtë…

M’u kujtuan rrugët e rrugicat, xhamitë e bibliotekat, katedrat e dijetarëve, debatet e hapura, (si ai, kur u lajmëruam se në Universitetin e Damaskut, do të debatonin haptas, dijetari dhe eruditi i pashembullt, Dr. Said Ramadan El-Buti dhe filozofi ateist, Tajjib Et-Tizini… Atë pasdite nuk na zinte as rruga jashtë, aq sa me urdhër të kushedi se kujt, debati u shty…)

M’u kujtua panairi i përvitshëm i librit, sidomos ato momente, kur ktheheshim në konvikt të mbushur me ibra e vepra voluminoze, që mezi prisnim t’i hapnim e të diskutonim me shokët rreth tyre… Tefsir, hadith, usul, mekasid.., fusha e lëmi pa fund, autorë e studiues sa nuk i zë shkrimi…

M’u kujtuan rrugicat e ngushta me jaseminë, me dritaret e varura karakteristike, me qemeret e gurta dhe dyert e drynjta… M’u kujtua shitësi i arksusit, ai i sabareve, tregu i madh Hamidije, Bab Saruxha, Bab Tuma, prej ku shkonim te xhamia e Shejkh Ereslanit, afër së cilës ndodheshin varrezat e sahabëve, tregu që të çonte te xhamia e Sidi Shejkh Muhjiddin Arabiut, që e rrethonte një frymë mistike e pashpjegueshme…

M’u kujtua xhamia e Sidi Shejkh Abdulgani Nabulsit dhe derset e panumërta të nipit të tij, Hoxhës së intelektualëve, Dr. Ratib Nabulsit… Haxhibija, Muhaxhirinët, Salihija, Mezze, lagjja, në varrezat e së cilës pushonin sahabë të nderuar, (një herë pata vizituar zotërinë tonë, Hz. Dihje El-Kelbiun (r.a)…), Mesakin Berzeh me xhaminë e Halil Ibrahimit (a.s), Tixhare me lulishten e saj të mrekullueshme, Ruknuddini mitik, Kasijuni hijerëndë e paqësor…

O Zot, sa kujtime, sa njerëz, sa episode, sa mall, sa dhimbje, sa larg, sa afër, sa dëshirë, sa shpirt… Damasku im, Vendlindja ime e zemrës, e shpirtit, e mallit, e dashnisë, e besës, e thirrjes, e amanetit, Sham Sherifi i jem..!

Kjo mbrëmje erdhi ndryshe prej të tjerave… U shkri në vështrimet e medresistëve të mirë të Shkodrës, djemtë nga Tetova, Dibra, Delvina, Durrësi, Puka, Fieri, Gostivari etj. dhe u bashkua në thellësinë e kujtimeve të mia, ku unë dhe ata, ishim një imazh, në dy dimensione dhe dy rrethana të largëta në kohë, të njëjta në thelb, të pandara në shpirt…

Imam Muhamed B. Sytari

Myfti i Zonës Shkodër

Shkodër, më 18 tetor 2016