
Këtë mbrëmje lexova ca shënime të urta në gjuhën arabe. E pashë të udhës të ndaj me ju thelbin e tyre, me dëshirën e mirë të përfitimit.
“Një person, tregon sa vijon: Dikush më goditi nga pas me bastunin e tij, në cep të këmbës, teksa po ecja në punën time. Menjëherë u zemërova!
U ktheva me të shpejtë të shoh se kush më goditi dhe pse… U befasova, kur pashë se ishte një i verbër, që kontrollonte rrugën me bastunin e tij…
Papritur, ndjenja e zemërimit u kthye në dhembshuri dhe, e mora për dore drejt destinacionit të tij.
Nga këtu kuptova se, ndjenjat e njeriut ndryshojnë, në momentin kur ai ndryshon analizimin e rethanave!
Sa njerëzve u kemi bërë padrejtësi, ndonëse nuk kanë pasur për qëllim atë që kemi kuptuar ne! Prandaj, mendo mirë për tjetrin dhe mos vrapo të gjykosh për çdo gjë!
Mos e paragjyko një njeri të heshtur, që nuk flet! Ndoshta, po ta lexoje atë që ka në brendësinë e tij, do të gjeje se dashamirësia e tij për ty është shumë më e madhe, sesa ajo e munafikëve përreth teje!”
Prandaj, Resulull-llahu (a.s) thoshte: “Ruajuni nga paragjykimi, sepse ai është biseda më gënjeshtare!” Dmth, biseda e brendshme e njeriut me veten e tij…
Përktheu nga arabishtja, përshtati në shqip
dhe pajisi me ca shënime anësore:
Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 1 nëntor 2016