Në gjurmët e Hoxhës tonë, Shejkh Shuajb Arnauti…

Po dëgjoj me kënaqësi dhe mall, një bashkëbisedim të gjatë të Hoxhës tonë rahmetli, Shejkh Shuajb Arnauti, me një grup studiuesish pranë Qendrës “El-Karadavi” për Mesatarizëm dhe Përtëritje, në Doha të Katarit, dy vite më parë.

– Një nga studiuesit e pranishëm, e pyet Hoxhën: “Në lidhje me verifikimin që i keni bërë “Musnedit” të Imam Ahmedit (50 vëllime), a i ka lexuar Hirësia e juaj të gjitha hadithet e tij?”

Hoxha, duke buzëqeshur ia kthen: “Po, pasha All-llahun, betohem në All-llah, se me mua kanë punuar disa persona, 10-15 veta, të gjithë prej nxënësve të mi. Por, unë isha i vetmi që e kam lexuar “Musnedin”, nga elifi i tij deri tek ja-ja e tij! (Nga a-ja e tij deri tek zh-ja e tij)

Inshallah, unë e kam frikë All-llahun! Nuk mund të them me gjuhën time se e kam bërë diçka, nëse nuk e kam bërë! Përndryshe do të isha gënjeshtar!?

Duhet të kem frikë nga Zoti i botëve, para se të kem frikë nga njerëzit!”

– E pyet një studiues algjerian se çfarë lidhje ka me Shejkh Abdulkadir Arnautin, sepse dikush mendon se janë vëllezër gjaku.

Hoxha, teksa buzëqesh, ia kthen: “Abdulkadir Arnauti është nga Kosova, ndërsa unë jam nga Shqipëria. Të dy kemi lindur në vitin 1928, ndërsa ai ka shkuar tek All-llahu, para meje!

Ishte njeri i mirë, i ditur, i përkushtuar. Ka spikatur më shumë në vaset e tij, sesa në verifikime shkencore.

Madje Shejkh Hasan Habenneke, kur e shihte në ndonjë mexhlis, i thoshte: “Ngrihu, o Hoxhë, na jep vasë!”. Sepse ai, rahmet pastë, ndoshta dinte përmendësh dy mijë hadithe të sakta, mashallah… Edhe Kur’anin, edhe pse nuk e dinte përmendësh, por kur mbante vasë a hytbe, sillte 15 a 20 ajete…”

Rahmet pastë…

Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip:
Muhamed B. Sytari

Shkodër, më 5 nëntor 2016