Mos u mashtroni nga iluzionet optike..!

Sot, teksa analizoj me vëmendje realitetet e hirta, nëpër të cilat kalon ymeti islam, goditjet pas shpine që i bëhen, fodulleku dhe anarshia që e ka kapluar, etiketimet e padrejta dhe krejtësisht të pabaza që i adresohen, por edhe keqleximi që i bëjnë shumë të rinj fesë së tyre, larg edukimit, adhurimit, dijes dhe urtësisë, (si katër elementë thelbësorë në formimin e personalitetit të muslimanit), më vijnë ndër mend fjalët e dijetarit të urtë egjiptian, Shejkh Muhammed El-Gazali (1996-1917), kur thotë:

“Pasuesit e Librave të shenjtë (Ehli Kitabët) e devijuan Fjalën nga vendi i saj, në forma të caktuara. Ndërsa ne (muslimanët), në hapësirat e shekujve, e veshëm Shpalljen hyjnore me kapriçot tona, derisa humbi shkëlqimi i saj…

Gati-gati më bëhet t’i them, krejt banorëve të kontinenteve: Ajo që ju shihni në veprimet dhe sjelljet tona, nuk është ajo që ka shpallur All-llahu në Libër, as shembulli i dëshmuar nga i Dërguari i Tij në sjelljet e tij!

Ajo çfarë ju shihni, është devijimi i një ymeti, që ka harruar se çfarë posedon dhe ecën përpara me tekat e tij!”

Me fjalë të tjera, mos të tundohet njeri nga mashtrimet e iluzioneve optike, që krijojnë skenografitë e ngarkuara me mallra të riciklueshme, as mos të devijojë dikush tjetër nga padija dhe çoroditja e kujtdo që pretendon besimin dhe fenë, ndërkohë që besimi dhe feja e vërtetë ndodhen diku e, ata, pretenduesit e ekzaltuar, diku tjetër!

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 6 nëntor 2016