Besimi në All-llahun e Madhëruar

Një ndër rrugët më të afërta për njohjen me këtë besim të gjallë, si dhe një ndër shtigjet më të hapura për ngulitjen e tij në mendje dhe zemër; me rrënjë të fortë, që prodhon qetësi shpirtërore, bindje logjike, prehje të brendshme, transparencë shpirtërore dhe rehati mendore, është rruga e meditimit dhe mendimit në horizontet e kësaj gjithësie… Ndalesa tek imtësitë e krijimit, perfeksioni i tij, që është njëkohësisht edhe metodologjia e Kur’anit Famëlartë dhe drejtimi i tij në prezantimin e besimit të qartë, pa dyshime e pa mistere dhe ngulitja e bazave të tij në shpirtra, ndezja e dritës së tij në gjokse…

Nganjëherë mjafton një vështrim që njeriu hedh në këtë univers, për të parë çuditë e kësaj gjithësie dhe çfarë ajo përfshin nga përsosmëritë e krijimit; qielli lart, yjet që shdrisin, trupat qiellorë të përsosur në krijim, formë e rend në lëvizjet dhe sistemin e tyre.

Nganjëherë mjafton një vështrim tokës dhe çfarë ajo përmban prej bimëve shumëngjyrëshe, me shije të llojllojshme, me aroma të panumërta, ndonëse ujiten nga një ujë i vetëm dhe mbijnë nga një tokë e vetme…

Këto e shumë të tjera vështrime përreth, i mjaftojnë njeriut të kuptojë se ky univers i çuditshëm duhet të ketë një Krijues, që e ka krijuar, e ka plotësuar krijimin e tij dhe e ka përsosur atë. Një Krijues, detyrimisht ekzistent, Krijuesi i gjithësisë, i Madhëruari!

Është pyetur Ajnshtajni, zbuluesi i teorisë së relativitetit: A ekziston Zoti? Është përgjigjur: “Matematikisht, ekziston!” E kanë pyetur: Po universalisht? Është përgjigjur: “Ekziston!” I kanë thënë: E përse ekzistoka? Është përgjigjur: “Për këtë!” – dhe ka bërë shenjë nga qielli…

All-llahu i Madhëruar thotë: “Vërtetë, Zoti juaj, All-llahu është Ai që krijoi qiejt dhe tokën brenda gjashtë ditësh, pastaj qëndroi mbi Arshin, Ai e mbulon ditën me natë, që me të shpejtë e kërkon atë (mbulimin e dritës së ditës), edhe dielli, edhe hëna e edhe yjet i janë nënshtruar sundimit të Tij. Ja, vetëm Atij i takon krijimi dhe sundimi. I madhëruar është All-llahu, Zoti i botëve.” – (Kur’ani, El-Arafë: 54)

“Thuaj: “E kujt është toka dhe çdo gjë që ka në të, nëse jeni që e dini?” – Ata do të thonë: “E All-llahut”. Atëherë thuaju: “Përse pra nuk mendoni?” – Thuaj: “Kush është Zoti i shtatë qiejve dhe Zot i Arshit të madh?” – Ata do të thonë: “All-llahu!” Thuaju: “E pse nuk frikësoheni pra?” – Thuaj: “Në dorën e kujt është i tërë pushteti i çdo sendi, dhe Ai është që mbron (kë të dojë), e që prej Atij nuk mund të ketë të mbrojtur; nëse jeni që e dini?” – Ata do të thonë: “Në dorë të All-llahut!” Thuaj: “E si mashtroheni pra?” – Por jo, Ne ua sollëm atyre të vërtetën, e megjithatë, ata jetojnë me gënjeshtra (duke adhuruar idhuj). – All-llahu nuk ka marrë për veten kurrfarë fëmije (as engjëjt, e as nga njerëzit), nuk ka me Të ndonjë zot tjetër, pse (sikur të kishte zot tjetër), atëherë secili zot do të veçohej me atë që ka krijuar, dhe do të dominonte njëri mbi tjetrin! I lartë, i pastër është All-llahu nga ato që i përshkruajnë. – Ai e di të fshehtën e të dukshmen, Ai është larg asaj, që ata i shoqërojnë.” – (Kur’ani, El-Mu’minune: 84-92)

Me kësi argumentesh logjike dhe hyjnore, të transmetuara, çelin rrezet e besimit të gjallë në zemra, aty ndriçojnë me dritën e tij, për të formuar besimin e drejtë, bindjen e plotë!

 

Përktheu nga arabishtja, nga libri me titull:
“Mbrojtja e besimit nga rrëshqitjet e gjuhës”,
i dijetarit të shquar, Shejkh Muhammed Edib Kelkel,
dhe përshtati në shqip
Muhamed B. Sytari

Shkodër, më 9 maj 2016