Fëshfërima fletësh Libri…

– meditim në një pauzë leximi-

Në një shtëpi me libra, sado i vetmuar të jesh, nuk je kurrë vetëm. Edhe kur njerëzit e shtëpisë nuk janë aty, sërish shtëpia është plot!

Ngado hedh sytë, shfaqet një personazh, dy a dhjetë… Heshtjen e leximit, sidomos në fundvit, e thyen ose fërshëllima e erës, që depërton nga ndonjë vrimë e hutuar në mur a dritare, ose shfletimi i faqeve të librit…

E, kur kjo ndodh, vetvetiu të bëhet të ngresh kokën dhe, ashtu në përshpirtjen e leximit, të bësh rolin e mikpritësit, duke uruar nga thellësia e zemrës mirëseardhjen e personazheve që të shoqërojnë… Ashtu, virtualisht, ata mbajnë ritmet e kohës të lidhura pas realitetesh, sa reale e shpesh sureale, por që gjithësesi, kohës tënde i shtojnë prezencë e kuptim…

Shpesh, ndalem dhe mendoj sesa madhështor, (por ende i pazbuluar si e sa duhet nga ne, raca njerëzore), është fakti që, FJALA e parë, me të cilën Zoti i gjithësisë nisi shpalljen e LIBRIT të fundit hyjnor, është: LEXO!…

Kur e mendon, ashtu në qetësinë e dhomës së librave, (ose, ‘Odës së qitabeve’, siç do kishte dëshirë t’i thoshte gjyshi im rahmetli), fëshfërimat e faqeve që ndjekin njëra-tjetrën me rend e paqshëm, sikur e bëjnë vendin Hira… E, ti, i heshtur, i qetë, por thellësisht i lidhur me librin, personazhet, autorin e idetë, sikur përjeton madhështinë e Thirrjes: LEXO!…

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 13 nëntor 2016