Sy më sy, me Shpirtin e qytetit tim…

E sotmja, ishte një ditë e veçantë, ndër të bukurat ditë, kur besimi, shpresa dhe optimizmi, lidhur ngushtë me historinë, krenarinë e vlerave të trashëguara dhe tabanin tonë qytetar, bëhen së bashku dhe luten me fytyrën e qeshur nga e ardhmja…

Sot, vizitova Medresenë e vajzave. Është pa dyshim një hise e madhe krenarie për Shkodrën. Është pa dyshim një model vlerash dhe suksesi për bashkësinë tonë muslimane. Është pa dyshim një derë e madhe vlerash besimi e dijeje, prej ku pritet shumë e, ku, sytë e zemrat e shumëkujt që ia do të mirën këtij qyteti e këtij vendi, presin e presin me besim, durim e largpamësi lutjesh të sinqerta…

Përkujtuam së bashku 26 vjetorin e rihapjes së Xhamisë së Plumbit. (Në kushte të tjera, këtë takim mund ta bënim edhe te vendngjarja e asaj mirësie të madhe, atij sinjali hyjnor e atij shpërthimi qytetarësh me vlera të pahumbura në realitetet e tyre shpirtërore… Xhamia, nën ujin e përmbytjeve të ditëve të fundit, nuk na e mundësonte dot…)

Sot, aty para vajzave me hixhabin ngjyrë flamuri kombëtar mbi koka, më erdhën në mendje shënimet e burrit të urtë, Ahmet Davutoglu, në librin e tij “Qytete dhe qytetërime”, (përkthyer dhe botuar në shqip nga LOGOS-A, Shkup, tetor, 2016), kur thotë: “Ata që humbasin shpirtin e qyteteve të tyre, edhe po ta vazhdojnë dominimin politik, nuk mund të jenë të qëndrueshëm. Kurse ata që u japin shpirtin qyteteve, edhe po ta humbasin dominimin politik e bëjnë të qëndrueshme praninë e tyre në ato vende!”

Historia e jonë është e hidhur. E mbushur me persekutim, vafëri, shtypje, padrejtësi pa fund e rrugë të mbyllura. Por, dekadat që kaluan, sidomos ato të periudhës ateiste, përtej histerisë kolektive dhe pabesisë ndaj fesë, vërtetuan se persekutimi i gjyshërve tanë u bë kurban shpëtimi për shpirtin e këtij qyteti! Dhe, Zoti e pranoi kurbanin e tyre! Pa dyshim që e pranoi!

Fëmijët tanë sot, vajzat me hixhab e djemtë e rinj të përkushtuar ndaj fesë së të parëve të tyre, janë lidhja më e madhe e të sotmes me të djeshmen e lavdishme, kur gjyshërit tanë sakrifikonin dhe punonin për ndërtimin e institucionit të “shpirtit të qytetit”, tabanit të palëkundur të besimit dhe fesë, traditave dhe kulturës, mishëruar në thirrjet e Kur’anit dhe ato të Dërguarit të fundit të Zotit…

Këtë shpirt, e kemi për detyrë ta mbrojmë, sidomos sot, kur po na vërtetohet dita-ditës se historia e pabesive kombëtare mund të përsëritet, nëse ia lejojmë të keqes të shtrijë tentakulat e saj, mbi shpirtin e vlerave tona, mbi tapetin e paqtë të tolerancës, pastërtisë, qytetarisë, njerzillekut e ujit të fytyrës…

Sot, ndjeva fort shpirtin e qytetit tim, në fytyrat e bijave tona, që trashëgojnë ma të mirat vlera nga familjet e tyre, që besuan përkundjen e tyre në ma të fismin e ma garantin Djep të Shpirtit të qytetit tonë…

All-llahu ju dashtë e ju pastë në mbrojtje, bijat e Hz. Hadixhe Kubrasë!

Imam Muhamed B. Sytari
Myftini Zonës Shkodër

Shkodër, më 14 nëntor 2016