Vështrime mbi tolerancën…

Këto ditë po lexoj paralelisht tre libra me vlerë mbi ‘tolerancën’ ndërfetare dhe historinë e muslimanëve (përfshi shqiptarët) në raport me tjetrin, kushdo qoftë ai në pikëpamje fetare, etnike, kulturore, njerëzore e përtej.

Librin e parë, atë me titull: “Toleranca fetare e shqiptarëve në zigzaget e historisë”, (Fiorentia, Shkodër, 2016), e ka shkruar etnologu i shquar Kahreman Ulqini.

Ndonëse, në disa gjëra nuk bie dakort me Mësuesin tim të historisë, (dikur në Medresenë “Haxhi Sheh Shamia”), për një gjë, (por jo vetëm), jam dakort, se: “Në vitet e fundit po vërshon një lumë shkrimesh të bëra kryesisht nga diletantë, panegjiristë e demagogë që kënaqin vetëm lexuesit vulgarë.” – (f. 15)

Libri i dytë, është një vepër që ia këshilloj të rinjve tanë ta lexojnë. Titullohet: “Në fenë e të parëve”, i autorit Hajrudin S. Muja. (LOGOS-A, Shkup, 2013).

Ndër të tjera, autori thekson, se: “Ka një studim Mark Krasniqi që na tregon se si gjatë shekujve plot trazira kishat e Kosovës kishin mbetur të paprekura dhe ishin ruajtur pikërisht nga shumica muslimane, pa asnjë shpërblim.” – (f. 25).

Poashtu, shkruan: “Organi i zyrës së Ipeshkvisë së Kosovës shkruante për periudhën osmane se Halifi dhe Porta e Lartë i kushtuan rëndësi të madhe tolerancës fetare, në kohën kur Evropa mesjetare ishte përgjakur në fanatizmin fetar të krishterë.

Volteri, edhe si kundërshtar i Islamit, pohonte se modeli islam i rregullimit të jetës paraqiste shembullin më të mirë të tolerancës ndërfetare.” – (f.33)

Ndërsa libri i tretë, është ai me titull: “Paqja Osmane”, e autorit Ilber Ortayli, (përkthyer në turqisht nga Altin Qefalia, LOGOS-A, Shkup, 2015.

Kur flet për tolerancën, (dhe, jam dakort me vështrimin që ai i bën faktit se, termi ‘tolerancë’ është i pa zbërthyer si e sa duhet në fjalorët e ndryshëm të botës, për pasojë edhe domethënia e tij në gjuhë të ndryshme, merr kuptime që lidhen me kulturën, politikën, besimin e përtej tyre në vende e kultura të ndryshme. “Edhe nëse nuk e pëlqeni gjuhën arabe, ju do të pëlqeni fjalën tesamuh” – (f. 67), shprehet.), ai thotë: “Ekziston një gjë e vetme që ne duhet ta dimë dhe ta pranojmë. Ky term, që është parashtruar si një status juridik i domosdoshëm i Evropës gjatë gjithë periudhës së Rilindjes dhe Iluminizmit, për herë të parë është ligjësuar nga ana e perandorit austriak Joseph II në vitin 1792 me një ferman, të quajtur “tolerenz patent” (certifikata e tolerancës). Në këtë certifikatë tregohet se Perandoria u ka dhënë të drejtë hebrenjve për t’u vendosur nëpër qytete, të drejtën për të praktikuar disa profesione, si dhe të drejtën për të studiuar nëpër disa universitete, përveç universiteteve jezuite. Kjo gjë u bë për shkak të shkatërrimeve që krijoi Revolucioni Francez dhe frikës që ai përhapi…” – (f. 67).

Mes vulgut të shkrimeve të dobëta, ruajtjes së “disa konjukturave”, (a prej tyre), kur trajtohet kjo temë, si dhe pamjaftueshmërisë shkencore në përkufizimet e tolerancës islame në raportet ndërfetare si fenomen social, më vjen ndër mend Shejkh Muhammed El-Gazali, i cili, teksa shkruan gjatë e gjatë mbi “Fanatizmin dhe tolerancën ndërmjet Krishtërimit dhe Islamit”, në librin e tij me të njëjtin titull, (në origjinal: “التعصب و التسامح بين المسيحية و الإسلام”), (Kajro, 1997), vulos se: “Fanatizmave nuk u shkon për shtat përgjigjja, sepse fanatizmat nuk e njohin logjikën e mendjes normale!” – (f. 9).

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 16 nëntor 2016