Të jetosh e të vdesësh si ibrahimit!

Është e papërshkrueshme gjendja e ndjenjës së besimit në vetvete, e optimizmit dhe e pathyeshmërisë përballë vështirësive të jetës, pusive, pabesive e sprovave në qenien e besimtarit!

Sa rëndë peshon fjala BESIMTAR!

Vetëm leximi i disa ajeteve kur’anore, ku përmendet besimtari, vlen sa bota me ç’ka brenda! Fjala bie:

1. “Është e sigurtë se kanë shpëtuar besimtarët” – (Kur’ani, El-Mu’minune: 1)

2. “E, besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, të cilëve, kur përmendet All-llahu, u rrënqethen zemrat e tyre e, kur u lexohen ajetet e Tij, u shtohet besimi, dhe që janë të mbështetur vetëm te Zoti i tyre.” – (Kur’ani, El-Enfal: 2)

Po të ndalem vetëm tek këto dy ajete, mund të lexohet me qartësi se, garancia hyjnore për shpëtim në hak të besimtarëve, do të thotë se, njerëzit e tillë kanë aftësinë e ruajtjes së amaneteve hyjnore, të ndërtojnë jetën, ta zhvillojnë botën e të meritojnë të drejtën hyjnore të mëkëmbjes së vërtetë në tokë!

E kundërta ndodh, kur pretendimi i besimit nuk e kalon cakun e praktikimit në realitetet e jetuara. (Historia e muslimanëve në 15 shekujt e fundit, mbetet përherë objekt studimi për analizimin e dallimit në mes gjendjes së besimit hak dhe pretendimit të tij në jetë)

Ndërsa ajeti i dytë, na dëshmon se, besimtari është njeri aktiv, dinamik dhe lëvrues. Të jesh besimtar i vërtetë, do të thotë të frymosh për All-llahun, të jetosh për Të e, të vdesësh me Emrin e Tij në zemër e gjuhë… Dmth, të jetosh e të vdesësh si ibrahimit! Në Kur’an përmendet dëshmia e Hz. Ibrahimit (a.s): “Thuaj: “Namazi im, kurbani im dhe vdekja ime janë thjeshtë për All-llahun, Zotin e botëve.” – (Kur’ani, El-En’am: 162)

Gjithashtu, leximi i ajeteve të Tij në horizonte, në qenien e besimtarit, në marrëdhënien e tij me njerëzit, në dinamikën e komunikimit me tjetrin, kushdo qoftë ai, mbetet përherë një thirrje medituese për besimtarin në jetë. Si të thuash, kjo ndjenjë e brendshme, e ushqen besimtarin që t’i shohë krijesat si qenie të Krijuesit; të dojë të udhëzuarin, të mëshirojë e të lutet për të devijuarin!

Shejkh Ahmed Keftaro, teksa fliste për besimtarin, thoshte:

“Besimi shëron krejt sëmundjet e qenies njerëzore; urrejtjen, smirën, përfoljen, thashethemin, egoizmin, kopracinë, ambicien, tradhëtinë, syfaqësinë etj.

Besimi i saktë ia mbush të zotit zemrën me përmendjen e All-llahut, me frikën e All-llahut, me Fjalën e All-llahut!

Sa bukur e ka thënë, i urti që thoshte: Përfito nga shoqëria e të ndershëmve dhe dije se, në shoqërinë e të pandershëmve ka poshërim! Syno shoqërimin e atij, nga e djathta e të cikit do të gjesh begati dhe, nga e majta e tij lehtësim!”

Dhe, kjo është një e vërtetë e madhe, një bekim për njeriun dhe jetën e tij!

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 17 nëntor 2016