“Më i miri…”

Ditën e djeshme ndava me ju dhjetë hadithe nga përmbledhja e dijetarit të shquar, Imam Xhelaleddin Es-Sujuti (v. 911 h.), me titull: “El-Xhamius-Sagir fi ehadithil-Beshirin-Nedhir”, (botimi i parë, Bejrut, 1990), që nisnin me fjalën e të Dërguarit (a.s): “Më të mirët ndër ju…”, a: “Më të mirët e ymmetit tim…”.

Sot, dua të vazhdoj me dhjetë hadithe të tjera, që nisin me shprehjen: “Më i miri…”, a: “Më e mira…”

1. “Më i miri i shoqërisë tek All-llahu është më i miri i tyre për shokun e tij. Më i miri i komshive tek All-llahu është më i miri i tyre për komshiun e tij!” – (Hadithi nr. 3998, f. 244. Ahmedi, Tirmidhiu dhe Hakimi, nga Ibn Amr).

2. “Më e mira e punëve është namazi në kohën e tij të parë!” – (Hadithi nr. 4001, f. 244. Hakimi, nga Ibn Amr).

3. “Më e mira lutje është istigfari (kërkimi falje All-llahut)!” – (Hadithi nr. 4006, f. 245. Hakimi, nga Aliu).

4. “Më i miri dhikër (përmendje e All-llahut) është i fshehti, më i miri rizk është i mjaftueshmi!” – (Hadithi nr. 4009, f. 245. Ahmedi, Ibn Hibbani dhe Bejhekiu, nga Sadi).

5. “Më e mira sadeka është ajo që buron nga pasuria dhe, nisja nga më i afërti!” – (Hadithi nr. 4021, f. 245. Ahmedi, Ebi Davudi dhe Nesaiu, nga Ebu Hurejra).

6. “Më i miri ndër muslimanë është ai, prej gjuhës dhe dorës së të cilit, janë të shpëtuar muslimanët!” – (Hadithi nr. 4031, f. 246. Muslimi, nga Ibn Amr).

7. “Më i miri i njerëzve është ai që më së miri e lexon Kur’anin, edhe ai që më së miri e kupton fenë e All-llahut, edhe ai që më së miri përkushtohet, edhe ai që më së miri urdhëron për mirë, edhe ai që më së miri ndalon të keqen, edhe ai që më së miri i ruan lidhjet farefisnore!” – (Hadithi nr. 4032, f. 246. Ahmedi, Tabaraniu (dhe Bejhekiu, si te “Fejdul-Kadir”, vëll. 3, f. 586), nga Durra bint Ebi Leheb).

8. “Më i miri i njerëzve është më i dobishmi i tyre për njerëzit!” – (Hadithi nr. 4044, f. 246. Kudaiu, nga Xhabiri).

9. “Më e mira e grave (bashkëshorteve) është ajo që të gëzon kur e sheh, që të bindet kur urdhëron dhe që të ruan në veten e saj dhe pasurinë tënde, kur ti mungon!” – (Hadithi nr. 4046, f. 246. Tabaraniu, nga Abdullah ibn Selam).

Në komentin e këtij hadithi, Imam Mennavi, në “Fejdul-Kadir”, sjell edhe një fjalë të Hz. Davudit (a.s), që thoshte: “Shembulli i gruas së mirë për burrin e saj është si shembulli i mbretit që mban mbi kokë një kurorë të zbukuruar me ar; sa herë që e vështron, i kënaqen sytë e tij prej saj! Ndërsa shembulli i gruas së keqe për burrin e saj është si ngarkesa e rëndë mbi shpinën e burrit plak!” – (vëll. 3, f. 590).

10. “Më i miri i ymmetit tim pas meje është Ebu Bekri dhe Omeri!” – (Hadithi nr. 4052, f. 247. Ibn Asakir nga Aliu dhe Zubejri së bashku).

Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip:
Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 2 janar 2017