“E mëshiroftë All-llahu…”

Në vazhdim të përhapjes së dritës së Ma të Mirit e Ma të Dashtunit (a.s), sot do të ndalem tek një tjetër bllok hadithesh nga përmbledhja e dijetarit të shquar, Imam Xhelaleddin Es-Sujuti (v. 911 h.), me titull: “El-Xhamius-Sagir fi ehadithil-Beshirin-Nedhir”, (botimi i parë, Bejrut, 1990).

Hadithet që kam përzgjedhur për sot, nisin me fjalën e të Dërguarit (a.s): “E mëshiroftë All-llahu…”

Natyrshëm, në të shumtën e rasteve, ato nxisin modele të suksesshme dhe të bekuara në jetën e njeriut, që ia vlen të ndiqen e të kthehen në shembuj jete, sidomos në kohën tonë.

1. “E mëshiroftë All-llahu Ibni Revahan, kudo që ta zinte namazi, ndalej!” – (Hadithi nr. 4413, f. 270. Ibn Asakir (dhe Tabaraniu, me shtesën: “E mëshiroftë All-llahu vëllaun tim Abdullah ibn Revaha…”, si te: “Fejdul-Kadir”, vëll. 4, f. 25), nga Ibn Omer).

2. “E mëshiroftë All-llahu Himjerin: nga gjuhët e tyre del paqja, nga duart e tyre ushqimi, ata janë njerëz të besës dhe të besimit!” – (Hadithi nr. 4416, f. 271. Ahmedi dhe Tirmidhiu, nga Ebu Hurejra).

Në komentimin e këtij hadithi, Imam Mennavi në “Fejdul-Kadir”, ndër të tjera, shkruan: “Himjer ibn Sebe’ ibn Jeshkhab ibn Jarib ibn Kahtan, i pari i një fisi nga Jemeni… Njerëzit janë të sigurtë nga duart dhe gjuhët e tyre, ndërsa zemrat e tyre janë të qeta me besim, të mbushura me dritën e bindjes, larg mjerimit, larg hipokrizisë” – (vëll. 4, f. 27).

3. “E mëshiroftë All-llahu një person që fiton nga hallalli, që shpenzon me maturi dhe që jep lëmoshë nga ajo që tepron, për ditën e varfërisë dhe nevojës së tij!” – (Hadithi nr. 4422, f. 271. Ibnun-Nexhar, nga Nana e jonë Aishe).

Në komentimin e këtij hadithi, Imam Mennavi në “Fejdul-Kadir”, shkruan: “… “për ditën e varfërisë…”, dmth, për ditën e kiametit.” – (vëll. 4, f. 30).

4. “E mëshiroftë All-llahu një person që fal katër rekate para namazit të iqindisë!” – (Hadithi nr. 4424, f. 271. Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe Ibn Hibbani, nga ibn Omeri).

Në komentimin e këtij hadithi, Imam Mennavi në “Fejdul-Kadir”, shkruan: [Ka thënë Gazaliu: “Është e pëlqyer (istihbabun muekkedun), me shpresën e përfshirjes në duanë e Resulull-llahut (a.s), pasi duaja e tij është e pranuar, pa asnjë dyshim!”] – (vëll. 4, f. 31).

5. “E mëshiroftë All-llahu një njeri që kur flet fiton dhe, kur hesht shpëton!” – [Hadithi nr. 4425, f. 271. Bejhekiu, nga Enesi dhe Hasan (Basriu, mursel, si te “Fejdul-Kadir”, vëll. 4, f. 32)].

6. “E mëshiroftë All-llahu një burrë, i cili zgjohet natën dhe falet, pastaj zgjon edhe të shoqen dhe ajo falet. E, nëse ajo refuzon, ai e spërkat me ujë në fytyrë! E mëshiroftë All-llahu një grua, e cila zgjohet natën dhe falet, pastaj zgjon edhe të shoqin dhe ai falet. E, nëse ai refuzon, ajo e spërkat me ujë në fytyrë!” – (Hadithi nr. 4431, f. 271. Ahmedi, Ebu Davudi, Nesaiu, Ibn Hibbani dhe Hakimi, nga Ebu Hurejra).

Në komentimin e këtij hadithi, Imam Mennavi në “Fejdul-Kadir”, ndër të tjera, shkruan: “Pra, pas gjumit, sepse nuk quhet namaz tehexhud, veçse namazi i natës, pas gjumit (para sabahut -M.S.-).

Ka specifikuar fytyrën me spërkatjen e ujit, për fisnikërinë e saj dhe faktin se ajo është vendi i ndjesive, prej të cilave arrihet përmendja…” – (vëll. 4, f. 33).

7. “E mëshiroftë All-llahu një njeri; zemërmirë kur shet, zemërmirë kur blen, zemërmirë kur gjykon, zemërmirë kur kërkon të drejtën e tij!” – (Hadithi nr. 4434, f. 272. Bukhariu dhe Ibn Maxheh, nga Xhabiri).

8. “E mëshiroftë All-llahu një prind që e ndihmon fëmijën e tij drejt respektit të tij!” – (Hadithi nr. 4442, f. 272. Ebush-Shejkh, nga Aliu).

Në komentimin e këtij hadithi, Imam Mennavi në “Fejdul-Kadir”, ndër të tjera, shkruan: “Ashtu sikur ti, që ke të drejta ndaj fëmijës tënd, edhe fëmija ka të drejtat e tij ndaj teje. E, nëse prindi është i shpërqendruar dhe i ashpër, e nxit fëmijën drejt largimit dhe mosrespektimit të tij!” – (vëll. 4, f. 38).

9. “E mëshiroftë All-llahu një person që dëgjon një fjalë prej nesh, e kupton atë, pastaj ia përcjell dikujt që mund të jetë më i thellë në kuptim!” – (Hadithi nr. 4443, f. 272. Ibn Asakir, nga Zejd ibn Khalib El-Xhuheni).

10. “E mëshiroftë All-llahu një sy që qan nga frika e All-llahut. E mëshiroftë All-llahu një sy që e gdhin në rrugën e All-llahut!” – (Hadithi nr. 4445, f. 272. Ebu Nuajmi, nga Ebu Hurejra).

Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip:
Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 3 janar 2017