“Morali i tij ishte…” (3)

Dhjetë hadithet e përzgjedhura të kësaj dite, në vijim të përshkrimit të personalitetit të Resulull-llahut (a.s), janë transmetime të mrekullueshme, të mbushura me përshpirtësinë dhe prezencën e bukur të përfytyrimit të Resulull-llahut (a.s), nëpërmjet përshkrimit që i bëjnë atij sahabë të ndryshëm.

Hadithet e këtij blloku, janë krejt ndryshe prej transmetimeve të shkuara, janë shumë të afërta dhe na sjellin përshkrime shumë të ëmbla dhe konkrete të imazhit real të Hz. Muhammedit (a.s).

Nuk ka dyshim se, leximi i këtyre transmetimeve, shoqërohet me një transparencë shpirtërore dhe një respekt shumë të madh, që sahabët tregonin ndaj Mësuesit të tyre të madh, Resulull-llahut (a.s)!

Ato të mbushin me frymë malli dhe të bëjnë të imagjinosh bukurinë, thjeshtësinë, ëmbëlsinë dhe tiparet më të spikatura të Mëshirës së dhuruar; Ma të Mirit të krijesave të All-llahut!

Hadithet në fjalë i kam nxjerrë nga përmbledhja e dijetarit të shquar, Imam Xhelaleddin Es-Sujuti (v. 911 h.), me titull: “El-Xhamius-Sagir fi ehadithil-Beshirin-Nedhir”, (botimi i parë, Bejrut, 1990).

Transmetimet e kësaj dite, nisin me fjalën: “Ai ishte…” etj.

1. “Ai ishte i bardhë, si të ishte krijuar nga argjendi, sikurse kishte flokë të derdhura!” – (Hadithi nr. 6471, f. 403. Tirmidhiu, nga Ebu Hurejra).

Në komentimin e këtij hadithi, Imam Mennavi në “Fejdul-Kadir”, ndër të tjera, shkruan: “Said ibnul-Musejjib tregon se ka dëgjuar nga Ebu Hurejra, kur thoshte: “Ai ishte shumë i bardhë!”. Ndërsa në transmetimin e Ebu Tufejlit, tek Tabaraniu, thuhet: “Nuk e harroj bardhësinë e madhe të fytyrës së tij dhe të zezën e theksuar të flokëve të tij (a.s)”…” – (vëll. 5, f. 84-85).

2. “Ai ishte njeriu me fytyrën më të bukur, më i përsosuri nga pamja e jashtme, nuk ishte shumë i gjatë, as i shkurtër!” – (Hadithi nr. 6474, f. 403. Bukhariu, nga El-Berra).

Në komentimin e këtij hadithi, Imam Mennavi në “Fejdul-Kadir”, ndër të tjera, shkruan: “Said ibnul-Musejjib tregon se ka dëgjuar nga Ebu Hurejra, kur thoshte: “Ishte më i bukur edhe se Hz. Jusufi (a.s). Atij i ishte dhënë krejt bukuria, ndërsa Jusufit (a.s), gjysma e saj! …” – (vëll. 5, f. 85).

3. “Ai ishte njeriu me sjelljen më të mirë!” – (Hadithi nr. 6476, f. 403. Muslimi dhe Ebu Davudi, nga Enesi).

4. “Ai ishte më i miri i njerëzve, më zemërmiri i tyre, më guximtari i tyre!” – (Hadithi nr. 6477, f. 403. Bukhariu, Tirmidhiu dhe Ibn Maxheh, nga Enesi).

5. “Ai ishte njeriu më durimtar ndaj pështirësive të njerëzve!” – (Hadithi nr. 6481, f. 403. Ibn Sad, nga Ismail ibn Ijash, mursel).

6. “Ai kishte një hapësirë në mes të dy dhëmbëve të parë; kur fliste shihej si një dritë që dilte nga e çara në mes tyre!” – (Hadithi nr. 6482, f. 403. Tirmidhiu, Tabaraniu dhe Bejhekiu, nga Ibn Abbasi).

7. “Fjalët e tij ishin krejt të qarta, i kuptonte kushdo që i dëgjonte!” – (Hadithi nr. 6498, f. 404. Ebu Davudi, nga Nana e jonë Aishe).

8. “Fytyra e tij ishte si dielli dhe hëna, ishte e rrumbullakët!” – (Hadithi nr. 6499, f. 404. Muslimi, nga Xhabir ibn Semura).

9. “Sjellja më e urryer për të ishte gënjeshtra!” – (Hadithi nr. 6500, f. 404. Bejhekiu, nga Nana e jonë Aishe).

10. “Pija më e pëlqyer për të ishte e ëmbla e ftohtë!” – (Hadithi nr. 6508, f. 405. Ahmedi, Tirmidhiu dhe Hakimi, nga Nana e jonë Aishe).

Në komentimin e këtij hadithi, Imam Mennavi në “Fejdul-Kadir”, ndër të tjera, shkruan: “Dmth, uji i pastër i burimeve dhe i krojeve të ëmbla, sepse Resulull-llahu (a.s) e pëlqente ujin, ose atë që përzihej me mjaltë, ose ujin e përzier me hurma a rrush të thatë. Ibnul-Kajjim thotë: [… kur uji përfshin këto dy cilësi, dmth, ëmbëlsinë dhe ftohtësinë, ai kthehet në një ndër shkaqet kryesore për ruajtjen e shëndetit… Resulull-llahu (a.s) e pinte ujin e ftohtë të përzier me mjaltë…”] – (vëll. 5, f. 102).

Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip:
Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 10 janar 2017