“Morali i tij ishte…” (2)

Dhjetë hadithet e përzgjedhura të kësaj dite janë vijim i temës së ditës së djeshme. Ato janë transmetime që përshkruajnë personalitetin e Resulull-llahut (a.s), ku përmenden detaje interesante nga jeta dhe sjellja e tij në marrëdhëniet e përditshme me njerëzit, pëlqyeshmëritë e tij, adhurimet, butësia, thjeshtësia etj.

Nëpërmjet këtyre haditheve, është e pamundur të mos ndjehet madhështia e këtij Njeriu të madh, këtij të dërguari shembull të çdo mirësie, model frymëzimi në rrugën e ndërtimit të personalitetit të muslimanit elitar në jetën e përditshme.

Teksa lexohen këto transmetime të shkurtra, por shumë kuptimplota, është e pamundur të mos Duhet me shpirt e me zemër Resulull-llahu (a.s)!

Hadithet në fjalë i kam nxjerrë nga përmbledhja e dijetarit të shquar, Imam Xhelaleddin Es-Sujuti (v. 911 h.), me titull: “El-Xhamius-Sagir fi ehadithil-Beshirin-Nedhir”, (botimi i parë, Bejrut, 1990).

Transmetimet e kësaj dite, nisin me fjalën: “I vizitonte…”,
“I pëlqente…”, “Nuk pëlqente…” etj.

1. “I vizitonte ensarët, i jepte selam fëmijëve të tyre dhe u fërkonte kokat!” – (Hadithi nr. 7034, f. 433. Nesaiu, nga Enesi).

2. “I pëlqente namazi i tehexhudit, natën!” – (Hadithi nr. 7095, f. 436. Tabaraniu, nga Xhundub).

3. “I pëlqente era e mirë!” – (Hadithi nr. 7100, f. 437. Ebu Davudi dhe Hakimi, nga Nana e jonë Aishe).

4. “E përsëriste fjalën tre herë, që të kuptohej si duhet!” – (Hadithi nr. 7114, f. 437. Tirmidhiu dhe Hakimi, nga Enesi).

5. “I drejtohej me fytyrën dhe fjalët e tij, më të keqit të shoqërisë, që të fitonte zemrën e tij!” – (Hadithi nr. 7123, f. 438. Tabaraniu, nga Amr ibnul-As).

6. “Falej natën, aq sa këmbët i pësonin ënjtje!” – (Hadithi nr. 7134, f. 438. Bukhariu, Muslimi, Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ibn Maxheh, nga Mugire).

7. “E shtonte dhikrin, i pakësonte bisedat e padobishme, e zgjaste namazin, e shkurtonte hytben, sikurse nuk përtonte as shfaqte mendjemadhësi të ecte me një grua të vejë, me një skamnor, a me një skllav, derisa ta ndihmonte në kryerjen e nevojës që kishte!” – (Hadithi nr. 7142, f. 438-439. Nesaiu dhe Hakimi, nga Ibn Ebi Eufa. Hakimi (në një transmetim tjetër), nga Ebu Said El-Khudri).

8. “Nuk pëlqente të shihte dikë që bërtiste me zë të lartë! Ai pëlqente të folurën me zë të ulët!” – (Hadithi nr. 7147, f. 439. Tabaraniu, nga Ebu Umame).

9. “Kalonte pranë fëmijëve dhe u jepte selam!” – (Hadithi nr. 7174, f. 440. Bukhariu, nga Enesi).

10. “E llastonte Zejnebin, të bijën e Um Selemesë (bashkëshortes së tij); e thërriste: “O Zuvejnib, o Zuvejnib”, disa herë!” – (Hadithi nr. 7188, f. 441. Ed-Dija El-Makdisi, nga Enesi).

Në komentimin e këtij hadithi, Imam Mennavi në “Fejdul-Kadir”, ndër të tjera, shkruan: “E thërriste në formë përkëdhelie, me zvogëlim të emrit të saj, sepse All-llahu ia kishte pastruar zemrën e tij nga mendjemadhështia dhe arroganca…” – (vëll. 5, f. 303).

Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip:
Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 9 janar 2017