“Shembulli i…”

Ditën e sotme, dua të ndalem tek dhjetë hadithe, nëpërmjet të cilave, Resulull-llahu (a.s) bën disa krahasime të urta, për të shërbyer si udhëzim dhe dritësim për shumë njerëz në botë.

Këto hadithe të shtrenjta, është mirë të lexohen dhe të merren si njësi matëse, ku secili prej nesh të vendosë veten e tij, familjen, fëmijët, rrethin miqësor dhe përtej, në rrugëtimet tona drejt përvetësimit të sa më shumë porosive profetike, që i vlejnë jetës sonë, nëse zbatohen dhe ndiqen me sinqeritet dhe bindje.

Hadithet në fjalë i kam nxjerrë nga përmbledhja e dijetarit të shquar, Imam Xhelaleddin Es-Sujuti (v. 911 h.), me titull: “El-Xhamius-Sagir fi ehadithil-Beshirin-Nedhir”, (botimi i parë, Bejrut, 1990).

Transmetimet e kësaj dite, nisin me fjalën: “Shembulli i…”.

1. “Shembulli i shtëpisë në të cilën i bëhet dhikër All-llahut dhe shtëpisë në të cilën nuk i bëhet dhikër All-llahu, është si i gjalli me të vdekurin!” – (Hadithi nr. 8129, f. 497. Bukhariu, nga Ebu Musa).

Në komentimin e këtij hadithi, Imam Mennavi në “Fejdul-Kadir”, ndër të tjera, shkruan: “Krahasimi i shtëpisë me të gjallin a të vdekurin, duke u nisur nga prania a jo e dhikrit, ku krahasohet personi që e përmend All-llahun, me të gjallin, i cili ka zbukuruar të jashtmen e tij me dritën e jetës dhe ndriçimin e saj… Kështu pra, ai që i bën dhikër All-llahut, e zbukuron të jashtmen e tij me dritën e veprës, ndërsa të brendshmen e tij me dritën e dijes dhe njohurive…” – (vëll. 5, f. 613-614).

2. “Shembulli i shokut të mirë është si ai i shitësit të erërave të mira (parfumeve), nëse nuk të jep nga parfumërat e tij, të prek e era e tyre!” – (Hadithi nr. 8131, f. 497. Ebu Davudi dhe Hakimi, nga Enesi).

Në komentimin e këtij hadithi, Imam Mennavi në “Fejdul-Kadir”, ndër të tjera, shkruan: “Disa të urtë kanë thënë se ky hadith, në brendësinë e tij jep udhëzim drejt shoqërimit me atë që të sjell dobi shoqëria e tij në fenë tënde; qoftë dije që të bën dobi, ose një gjendje në të cilën ai është, qoftë një sjellje e mirë që e posedon. Sepse njeriu, kur shoqërohet me atë që i kujton jetën e përtejme, është e pamundur të mos marrë prej tij, aq sa t’ia ketë shkruar All-llahu! Por, nëse shoku yt është i zhveshur nga këto cilësi, atëherë ulu dhe rri me All-llahun, nëpërmjet dhikrit dhe Kur’anit!” – (vëll. 5, f. 615).

3. “Shembulli i pesë namazeve ditore është si shembulli i një lumi të rrjedhshëm me ujë të pastër, në derën e secilit prej jush, ku lahet pesë herë në ditë. A mbetet gjë nga papastërtitë pas kësaj?” – (Hadithi nr. 8133, f. 497. Ahmedi dhe Muslimi, nga Xhabiri).

4. “Shembulli i atij që i mëson njerëzve të mirën dhe harron veten e tij është si feneri që ndriçon njerëzit dhe djeg veten e tij!” – (HAdithi nr. 8141, f. 497. Tabaraniu, nga Ebu Berza).

Në komentimin e këtij hadithi, Imam Mennavi në “Fejdul-Kadir”, ndër të tjera, shkruan: [Ka thënë sahabiu Ebu Derda: “I mjeri ai që nuk di, një herë! I mjeri ai që di dhe nuk nuk vepron me dijen e tij, njëmijë herë!”] – (vëll. 5, f. 619).

5. “Shembulli i besimtarit është si pema e hurmës; çfarëdo të marrësh prej saj, të bën dobi!” – (Hadithi nr. 8145, f. 498. Tabaraniu (dhe Bezzari, si te “Fejdul-Kadir”, vëll. 5, f. 620), nga Ibn Omeri).

Në komentimin e këtij hadithi, Imam Mennavi në “Fejdul-Kadir”, ndër të tjera, shkruan: [Ka thënë Ibn Haxheri: “(Resulull-llahu) E ka shprehur qëllimin e tij me fjalët më të shkurtra, duke bërë krahasimin në mes të dyve. Sepse origjina e fesë së muslimanit është e palëkundur dhe se, ajo që del prej tij prej diturive e mirësive, kthehet në ushqim për shpirtrat…”] – (vëll. 5, f. 620).

6. “Shembulli i besimtarit është si kalliri, anon një herë dhe drejtohet sërish!” – (Hadithi nr. 8148, f. 498. Ebu Ja’la dhe Ed-Dija, nga Enesi).

Në komentimin e këtij hadithi, Imam Mennavi në “Fejdul-Kadir”, ndër të tjera, shkruan: “Dmth, besimtari është njeri me dhembje të shumta në jetën e tij, edhe si shlyerje e gjynaheve të tij, ndryshe nga jobesimtari…” – (vëll. 5, f. 620).

7. “Shembulli i besimtarit është si shtëpia e prishur nga jashtë, por kur hyn në të e gjen të ndrequr e të rregullt. Ndërsa shembulli i të shthurrurit është si varri i zbukuruar dhe i ndërtuar, që tërheq vëmendjen e kujtdo që e sheh, por në brendësinë e tij është i mbushur me fëlliqësi!” – (Hadithi nr. 8145, f. 498. Bejhekiu, nga Ebu Hurejra).

8. “Shembulli i besimtarëve në dashamirësinë, mëshirimin dhe solidiarizmin në mes vete është si shembulli i një trupi; nëse një gjymtyrë ankon, i gjithë trupi përfshihet nga pagjumësia dhe temperatura!” – (Hadithi nr. 8155, f. 498. Ahmedi dhe Muslimi, nga Numan ibn Beshir).

9. “Shembulli i hipokritit (munafikut) është si shembulli i një deleje, që qëndron në mes të dy kopeve; një herë afrohet me njërën dhe një herë me tjetrën, nuk di se kë të ndjekë!” – (Hadithi nr. 8158, f. 499. Ahmedi, Muslimi dhe Nesaiu, nga Ibn Omeri).

10. “Shembulli im dhe shembulli juaj është si një burrë që ka ndezur një zjarr, ndërkohë që fluturat dhe karkalecat bien në të, ndërsa ai i largon prej zjarrit. Edhe unë ju kapi për brezi për të mos rënë në zjarr, ndërsa ju më ikni për duarsh!” – (Hadithi nr. 8168, f. 499. Ahmedi dhe Muslimi, nga Xhabiri).

Në komentimin e këtij hadithi, Imam Mennavi në “Fejdul-Kadir”, ndër të tjera, shkruan: “Dmth, me lënien pas dore të asaj që kam urdhëruar. (Resulull-llahu) krahasoi rënien në zjarrin e të përtejmes të injorantëve dhe kundërshtarëve, nëpërmjet gjynaheve dhe epsheve të tyre, përtej përpjekjes së tij për t’i ndaluar…” – (vëll. 5, f. 628).

Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip:
Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 11 janar 2017