
Dhjetë hadithet e ditës së sotme janë një bllok porosishë profetike, nëpërmjet të cilave Resulull-llahu (a.s) na udhëzon drejt mosveprimit të disa punëve, veseve dhe sjelljeve, që nuk i shkojnë personalitetit të muslimanit në jetë.
Këto hadithe janë udhëzime të urta dhe largpamëse, që synojnë pastrimin e shoqërisë nga veset dhe sjelljet, që e bëjnë njeriun të jetojë si skllav i epsheve, injorancës dhe mosbesimit në jetë!
Hadithet në fjalë i kam nxjerrë nga përmbledhja e dijetarit të shquar, Imam Xhelaleddin Es-Sujuti (v. 911 h.), me titull: “El-Xhamius-Sagir fi ehadithil-Beshirin-Nedhir”, (botimi i parë, Bejrut, 1990).
Transmetimet e kësaj dite, nisin me fjalën: “Nuk…”, a: “Mos…”.
1. “Nuk ka besim ai që nuk ruan amanetin, as ka fé ai që nuk ka besë!” – (Hadithi nr. 9704, f. 576. Ahmedi dhe Ibn Hibbani, nga Enesi).
2. “Mos u urreni, mos komplotoni kundër njëri-tjetrit, mos garoni në të keqe, jetoni o robër të All-llahut si vëllezër!” – ( Hadithi nr. 9725, f. 577. Muslimi, nga Ebu Hurejra).
3. “Mos i bëni xhamitë si rrugë, përmendni All-llahun në to dhe faluni!” – (Hadithi nr. 9730, f. 577. Tabaraniu, nga Ibn Omeri).
4. “Nuk bashkohen dy vese në një besimtar; kopracia dhe gënjeshtra!” – (Hadithi nr. 9743, f. 578. Simevejh, nga Ebu Saidi).
Në komentimin e këtij hadithi, Imam Mennavi në “Fejdul-Kadir”, ndër të tjera, shkruan: “… sepse bashkimi i tyre në një njeri dëshmon për dobësimin e besimit!” – (vëll. 6, f. 480).
5. “Mos u ktheni pas meje në femohim, duke luftuar njëri-tjetrin!” – (Hadithi nr. 9767, f. 579. Ahmedi, Bukhariu, Muslimi, Nesaiu dhe Ibn Maxheh, nga Xheriri. Etj.).
Në komentimin e këtij hadithi, Imam Mennavi në “Fejdul-Kadir”, ndër të tjera, shkruan: “Mos u bëni të tillë nga ky moment, (i tha këto fjalë në Haxhin e Lamtumirës), a pas vdekjes sime!” – (vëll. 6, f. 485).
6. “Mos i shani të vdekurit, tashmë ata kanë kaluar drejt asaj që kanë vepruar!” – (Hadithi nr. 9782, f. 579. Ahmedi, Bukhariu dhe Nesaiu, nga Nana e jonë Aishe).
7. “Mos e shani erën, sepse ajo është nga mëshira e All-llahut, sjell mëshirë, por sjell edhe ndëshkim! Lutjuni All-llahut për të mirën që ajo sjell dhe kërkoni mbrojtjen e Tij nga e keqja e saj!” – (Hadithi nr. 9787, f. 580. Ahmedi dhe Ibn Maxheh, nga Ebu Hurejra).
Në komentimin e këtij hadithi, Imam Mennavi në “Fejdul-Kadir”, ndër të tjera, shkruan: [Ka thënë Shafiiu: “Nuk duhet sharë era, sepse ajo është krijesë e bindur e All-llahut, ushtar prej ushtarëve të Tij, e bën mëshirë kur të dojë dhe ndëshkim kur të dojë!”] – (vëll. 6, f. 492).
8. “Mos i godisni robëreshat e All-llahut!” – (Hadithi nr. 9819, f. 581. Ebu Davudi, Nesaiu, Ibn Maxheh dhe Hakimi, nga Ijjas ibn Abdull-llah).
Në komentimin e këtij hadithi, Imam Mennavi në “Fejdul-Kadir”, ndër të tjera, shkruan: “Dmth, mos i godisni femrat, sepse ju dhe ato jeni të barabartë në qenien tuaj krijesa të All-llahut!”] – (vëll. 6, f. 504).
9. “Mos u bëni të paaftë në lutje (dua), sepse askush nuk do të humbasë sado që lutet!” – (Hadithi nr. 9829, f. 582. Hakimi, nga Ebu Umame).
10. “Mos u nervozo!” – (Hadithi nr. 9835, f. 582. Ahmedi, Bukhariu dhe Tirmidhiu, nga Ebu Hurejra. Etj.).
Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip:
Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 13 janar 2017